Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 20:17-34

Mateu 20:17-34 AL1

Kur po shkonte në Jerusalem, Jezui mori mënjanë dymbëdhjetë dishepujt dhe gjatë rrugës u tha: «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve. Ata do ta dënojnë me vdekje, do t'ua dorëzojnë kombeve që ta tallin, ta fshikullojnë e ta kryqëzojnë, por ditën e tretë ai do të ngjallet». Atëherë erdhi te Jezui nëna e bijve të Zebedeut bashkë me djemtë e saj, i ra në gjunjë dhe i kërkoi diçka. Jezui i tha: «Çfarë dëshiron?». Ajo i tha: «Urdhëro që këta dy djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde, në mbretërinë tënde». Por Jezui iu përgjigj: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë?». Ata iu përgjigjën: «Mundemi». Jezui u tha: «Kupën time do ta pini, por që të uleni në të djathtën e në të majtën time nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre që ua ka bërë gati Ati im». Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me dy vëllezërit. Por Jezui i thirri pranë vetes e u tha: «Ju e dini se krerët e kombeve sundojnë mbi ta dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi ta. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë shërbëtori juaj, sikurse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz». Kur po dilnin nga Jerikoja, Jezuin po e ndiqte një turmë e madhe. Dy të verbër që rrinin ulur në anë të rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezui, bërtitën: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». Turma i qortoi që të heshtnin, por ata bërtitën edhe më fort: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». Jezui ndaloi, i thirri e u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?». Ata i thanë: «Zot, duam të na hapen sytë!». Jezui ndjeu dhembshuri për ta e u preku sytë. Atyre iu kthye menjëherë shikimi e shkuan pas tij.