Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 19:1-15

Mateu 19:1-15 AL1

Pasi mbaroi së treguari këto gjëra, Jezui u largua nga Galilea dhe shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit. Atje e ndoqën turma të mëdha dhe ai i shëroi të sëmurët. Disa farisenj shkuan tek ai dhe u munduan ta zinin në kurth duke e pyetur: «A është e lejueshme ta ndash gruan për çfarëdolloj shkaku?». Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se ai që i ka krijuar që nga fillimi i bëri mashkull e femër? ». Dhe tha: « Prandaj burri do ta lërë të atin e të ëmën, për t'u bashkuar me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm. Kështu, ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!». Ata i thanë: «Atëherë, përse urdhëroi Moisiu t'i jepet gruas fletëndarja e të lihet ». Jezui u tha: «Moisiu ju lejoi të ndaheni prej grave tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu. Unë po ju them se kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një grua tjetër, bën tradhti bashkëshortore». Dishepujt i thanë: «Nëse ndodh kështu me një burrë e një grua, atëherë është më mirë të mos martohet njeri». Por ai u tha: «Jo të gjithë mund t'i kuptojnë këto fjalë, por vetëm ata, të cilëve u është dhënë. Ka eunukë që nga lindja dhe ka eunukë të bërë nga njerëzit, por ka edhe eunukë që janë bërë të tillë për shkak të mbretërisë së qiejve. Kush mund të kuptojë, të kuptojë». Pastaj i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta e të lutej, por dishepujt i qortuan. Atëherë Jezui u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si ata». Pastaj vuri duart mbi ta dhe u largua që andej.