Atëherë dishepujt erdhën te Jezui dhe e pyetën: «Kush është më i madhi në mbretërinë e qiejve?». Jezui thirri një fëmijë, e vuri mes tyre e tha: «Me të vërtetë po ju them se, nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijë, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Kush përulet si ky fëmijë, ai është më i madhi në mbretërinë e qiejve. Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua».
«Nëse dikush i bëhet pengesë njërit prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, për atë do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të mbytej thellë në det. Mjerë bota për gjërat që bëhen pengesë! Pengesat duhet të vijnë, por mjerë ai njeri që i shkakton ato! Nëse dora apo këmba jote të bëhet pengesë, prije e hidhe tej. Është më mirë të hysh i gjymtuar ose i çalë në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dyja duart dhe këmbët e të të hedhin në zjarrin e amshuar. Dhe nëse syri yt të bëhet pengesë, nxirre e hidhe tej. Është më mirë të hysh me një sy në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dy sytë e të të hedhin në Gehenën e zjarrit».
«Kini kujdes se mos përçmoni ndonjërin prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiej shikojnë gjithnjë fytyrën e Atit tim që është në qiej. Si mendoni? Nëse një njeri ka njëqind dele e njëra prej tyre humb rrugën, a nuk do t'i lërë ai të nëntëdhjetenëntat në male për të kërkuar atë që humbi rrugën? E nëse e gjen, me të vërtetë po ju them se ai gëzohet më shumë për të, sesa për të nëntëdhjetenëntat që nuk e kishin humbur rrugën. Po kështu edhe vullneti i Atit tuaj në qiej nuk është që të humbasë ndonjë prej këtyre të vegjëlve».
«Nëse vëllai yt mëkaton kundër teje, shko e qortoje vetëm për vetëm. Po të dëgjoi, e ke fituar vëllanë tënd. Por, nëse nuk të dëgjon, merr edhe një ose dy të tjerë me vete, që çdo fjalë të mund të mbështetet me dëshminë e dy ose tre dëshmitarëve. Nëse nuk pranon t'i dëgjojë, tregoja kishës dhe, po nuk pranoi të dëgjojë as kishën, le të jetë për ty si një prej kombeve apo si një tagrambledhës». «Me të vërtetë po ju them: çfarëdo që të lidhni në tokë, do të jetë e lidhur në qiell dhe çfarëdo të zgjidhni në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiell. Përsëri po ju them se nëse dy prej jush bien në një mendje për diçka që duan të kërkojnë, Ati im në qiell do t'ua japë. Sepse atje ku janë të mbledhur dy a tre veta në emrin tim, unë jam aty, mes tyre».
Atëherë Pjetri erdhi te Jezui e i tha: «Zot, sa herë duhet ta fal vëllanë që mëkaton kundër meje? Deri në shtatë herë?». Jezui i tha: «Jo deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë. Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet. Kur filloi, i sollën njërin që i detyrohej dhjetë mijë talenta dhe meqenëse ky nuk kishte të paguante, i zoti urdhëroi që të shitej së bashku me gruan, fëmijët e gjithçka kishte, që të shlyhej detyrimi. Atëherë shërbëtori i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të paguaj gjithçka!”. I zoti i këtij shërbëtori, i shtyrë nga dhembshuria e liroi dhe ia fali detyrimin. Por, po ai shërbëtor, kur doli jashtë, takoi njërin prej shërbëtorëve të tjerë si ai, i cili i detyrohej njëqind denarë. E kapi për gryke e i tha: “Më kthe çka më detyrohesh!”. Atëherë ky shërbëtor i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të ta kthej detyrimin!”. Ai nuk pranoi, por shkoi dhe e futi në burg derisa t'i paguante detyrimin. Kur e panë çfarë ndodhi, shërbëtorët e tjerë u pikëlluan shumë dhe shkuan e i treguan të zotit gjithçka kishte ndodhur. Atëherë i zoti e thirri shërbëtorin e i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë! Unë ta fala tërë detyrimin, se ti m'u përgjërove. A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shërbëtorin tjetër, siç pata unë mëshirë për ty?”. I zoti ua dorëzoi me zemërim rojave të burgut, derisa të shlyente tërë detyrimin e tij. Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor nëse nuk i falni vëllezërit tuaj me gjithë zemër».