Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 18

18
Më i madhi në mbretërinë e qiejve
(Mk 9.33-37; Lk 9.46-48)
1Atëherë dishepujt erdhën te Jezui dhe e pyetën: «Kush është më i madhi në mbretërinë e qiejve?». 2Jezui thirri një fëmijë, e vuri mes tyre 3e tha: «Me të vërtetë po ju them se, nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijë, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. 4Kush përulet si ky fëmijë, ai është më i madhi në mbretërinë e qiejve. 5Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua».
Shkaktar për mëkat
(Mk 9.42-48; Lk 17.1-2)
6«Nëse dikush i bëhet pengesë njërit prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, për atë do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të mbytej thellë në det. 7Mjerë bota për gjërat që bëhen pengesë! Pengesat duhet të vijnë, por mjerë ai njeri që i shkakton ato! 8Nëse dora apo këmba jote të bëhet pengesë, prije e hidhe tej. Është më mirë të hysh i gjymtuar ose i çalë në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dyja duart dhe këmbët e të të hedhin në zjarrin e amshuar. 9Dhe nëse syri yt të bëhet pengesë, nxirre e hidhe tej. Është më mirë të hysh me një sy në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dy sytë e të të hedhin në Gehenën e zjarrit».
Delja e humbur
(Lk 15.3-7)
10-11«Kini kujdes se mos përçmoni ndonjërin prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiej shikojnë gjithnjë fytyrën e Atit tim që është në qiej#18.10 dorëshk. të tjera edhe: 11 Sepse Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur. 12Si mendoni? Nëse një njeri ka njëqind dele e njëra prej tyre humb rrugën, a nuk do t'i lërë ai të nëntëdhjetenëntat në male për të kërkuar atë që humbi rrugën? 13E nëse e gjen, me të vërtetë po ju them se ai gëzohet më shumë për të, sesa për të nëntëdhjetenëntat që nuk e kishin humbur rrugën. 14Po kështu edhe vullneti i Atit tuaj në qiej nuk është që të humbasë ndonjë prej këtyre të vegjëlve».
Dy a tre në emrin tim
(Lk 17.3)
15«Nëse vëllai yt mëkaton kundër teje, shko e qortoje vetëm për vetëm. Po të dëgjoi, e ke fituar vëllanë tënd. 16Por, nëse nuk të dëgjon, merr edhe një ose dy të tjerë me vete, që çdo fjalë të mund të mbështetet me dëshminë e dy ose tre dëshmitarëve. 17Nëse nuk pranon t'i dëgjojë, tregoja kishës dhe, po nuk pranoi të dëgjojë as kishën, le të jetë për ty si një prej kombeve apo si një tagrambledhës». 18«Me të vërtetë po ju them: çfarëdo që të lidhni në tokë, do të jetë e lidhur në qiell dhe çfarëdo të zgjidhni në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiell. 19Përsëri po ju them se nëse dy prej jush bien në një mendje për diçka që duan të kërkojnë, Ati im në qiell do t'ua japë. 20Sepse atje ku janë të mbledhur dy a tre veta në emrin tim, unë jam aty, mes tyre».
Shërbëtori që s'fal
21Atëherë Pjetri erdhi te Jezui e i tha: «Zot, sa herë duhet ta fal vëllanë që mëkaton kundër meje? Deri në shtatë herë?». 22Jezui i tha: «Jo deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë. 23Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet. 24Kur filloi, i sollën njërin që i detyrohej dhjetë mijë talenta 25dhe meqenëse ky nuk kishte të paguante, i zoti urdhëroi që të shitej së bashku me gruan, fëmijët e gjithçka kishte, që të shlyhej detyrimi. 26Atëherë shërbëtori i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të paguaj gjithçka!”. 27I zoti i këtij shërbëtori, i shtyrë nga dhembshuria e liroi dhe ia fali detyrimin. 28Por, po ai shërbëtor, kur doli jashtë, takoi njërin prej shërbëtorëve të tjerë si ai, i cili i detyrohej njëqind denarë. E kapi për gryke e i tha: “Më kthe çka më detyrohesh!”. 29Atëherë ky shërbëtor i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të ta kthej detyrimin!”. 30Ai nuk pranoi, por shkoi dhe e futi në burg derisa t'i paguante detyrimin. 31Kur e panë çfarë ndodhi, shërbëtorët e tjerë u pikëlluan shumë dhe shkuan e i treguan të zotit gjithçka kishte ndodhur. 32Atëherë i zoti e thirri shërbëtorin e i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë! Unë ta fala tërë detyrimin, se ti m'u përgjërove. 33A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shërbëtorin tjetër, siç pata unë mëshirë për ty?”. 34I zoti ua dorëzoi me zemërim rojave të burgut, derisa të shlyente tërë detyrimin e tij. 35Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor nëse nuk i falni vëllezërit tuaj me gjithë zemër».

Aktualisht i përzgjedhur:

Mateu 18: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë