Jezui u largua që andej e shkoi në rrethinat e Tirit e të Sidonit. Dhe ja, një grua kananite, nga ajo krahinë, shkoi e i tha me zë të lartë: «Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit, se vajzën time e ka pushtuar keq djalli». Por Jezui nuk iu përgjigj. Dishepujt e tij iu afruan e i thanë: «Largoje atë, se na vjen nga pas duke bërtitur». Ai u përgjigj: «Unë jam dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». Por ajo erdhi, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, më ndihmo!». Ai iu përgjigj: «Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t'ua hedhësh qenve». Ajo i tha: «Po, o Zot, por edhe qentë hanë thërrimet që bien nga tryeza e të zotëve». Jezui iu përgjigj: «O grua, i madh është besimi yt! Le të bëhet ashtu siç dëshiron». Vajza e saj u shërua që në atë çast.
Jezui u largua që andej e shkoi bregut të liqenit të Galilesë. U ngjit në mal dhe u ul aty. Turma të mëdha erdhën tek ai duke sjellë me vete të çalë, të verbër, të gjymtuar, memecë e shumë të tjerë. I ulën te këmbët e tij dhe ai i shëroi. Kështu turmat u mrekulluan kur panë memecët që po flisnin, të gjymtuarit që shëroheshin, të çalët që ecnin, të verbrit që shikonin dhe përlëvduan Perëndinë e Izraelit.
Pastaj Jezui thirri pranë vetes dishepujt e u tha: «Më dhimbset turma, se kanë tri ditë që rrinë me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nuk dua t'i lë të shkojnë të uritur e të mbeten rrugës». Dishepujt i thanë: «Ku ta gjejmë gjithë atë bukë në shkretëtirë për të ushqyer tërë këtë turmë?». Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë bukë e disa peshq të vegjël». Pasi urdhëroi turmën të ulej përdhe, mori shtatë bukët dhe peshqit, tha lutjen e falënderimit, i theu bukët, ua dha dishepujve e dishepujt ua dhanë turmave. Të gjithë hëngrën e u ngopën dhe morën me vete shtatë shporta me copat që tepruan. Ata që hëngrën ishin katër mijë burra, përveç grave e fëmijëve. Jezui i shpërndau turmat, hipi në varkë e shkoi në krahinën e Magadanit.