Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 13:36-58

Mateu 13:36-58 AL1

Pastaj Jezui i la turmat e shkoi në një shtëpi. Dishepujt erdhën tek ai e i thanë: «Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë». Ai u përgjigj: «Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut, ara është bota dhe farat e mira janë bijtë e mbretërisë, ndërsa egjra janë bijtë e të ligut. Armiku që i ka mbjellë është djalli. Të korrat janë fundi i botës, ndërsa korrësit janë engjëjt. Ashtu siç mblidhet e digjet me zjarr egjra, kështu do të ndodhë në fundin e botës. Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe ata do të mbledhin e do të hedhin jashtë mbretërisë gjithçka që bëhet pengesë e të gjithë ata që bëjnë paudhësi dhe do t'i hedhë në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh. Pastaj të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë, le të dëgjojë». «Mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në një arë. Një njeri, pasi e gjeti, e mbuloi dhe plot gëzim shkoi e shiti gjithçka që kishte dhe e bleu atë arë. Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një tregtar që kërkon margaritarë të bukur, i cili, me të gjetur një margaritar të shtrenjtë, shkoi, shiti gjithçka pati dhe e bleu. Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një rrjetë që është hedhur në liqen dhe ka mbledhur peshq të çdo lloji. Kur u mbush plot, e nxorën në breg, u ulën dhe i mblodhën peshqit e mirë në enë dhe të këqijtë i hodhën përjashta. Kështu do të ndodhë në fundin e botës. Engjëjt do të dalin e do të ndajnë të këqijtë nga të drejtët, e do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh». «A i kuptuat të gjitha këto?». Ata iu përgjigjën: «Po». Atëherë ai u tha: «Prandaj çdo shkrues që është bërë dishepull i mbretërisë së qiejve i ngjan të zotit të shtëpisë, i cili nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja e të vjetra». Si mbaroi së treguari këto shëmbëlltyra, Jezui u largua që andej. Kur erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre. Ata mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vjen gjithë kjo urti e kjo fuqi për të bërë mrekulli? A nuk është ky i biri i zdrukthëtarit? A nuk quhet Mari nëna e tij? A nuk janë vallë Jakobi, Jozefi, Simoni e Juda vëllezërit e tij? Po motrat e tij a nuk janë të gjitha këtu te ne? Nga i vijnë këtij të gjitha këto?». Dhe kjo i pengonte të besonin në të. Por Jezui u tha: «Profeti nuk përçmohet askund përveçse në vendlindjen e në shtëpinë e vet». Aty nuk bëri shumë mrekulli, për shkak të mosbesimit të tyre.