Pastaj i sollën një shurdhmemec të verbër, të pushtuar nga djalli. Jezui e shëroi dhe ai filloi të fliste e të shikonte. Të gjithë njerëzit u mahnitën e thanë: «A mos është ky Biri i Davidit?». Por kur e dëgjuan këtë gjë, farisenjtë thanë: «Ky i dëbon djajtë vetëm me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve». Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe asnjë qytet a shtëpi që është e përçarë nuk mund të qëndrojë në këmbë. Nëse Satani dëbon Satanin, do të thotë se është i përçarë. E si mund të qëndrojë, atëherë, mbretëria e tij? Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj këta do të jenë gjykatësit tuaj. Por, nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju. Si mund të hyjë dikush në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë, pa e lidhur më parë të fortin? Vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë. Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk mbledh me mua, shpërndan. Prandaj po ju them se njerëzve do t'u falet çdo mëkat e fyerje ndaj Perëndisë, por nuk do t'u falet fyerja ndaj Shpirtit. Kushdo që thotë një fjalë kundër Birit të njeriut, do të falet, por ai që flet kundër Shpirtit të shenjtë, nuk do të falet as në këtë jetë e as në jetën që vjen». «Po të jetë pema e mirë, do të merrni fryte të mira. Po të jetë pema e kalbur, do të merrni fryte të këqija, sepse pema njihet nga frytet që jep. Pjellë nepërkash! E si mund të flisni mirë nëse jeni të këqij? Ç'ka zemra, nxjerr goja. Njeriu i mirë nxjerr të mira nga thesari i tij i mirë dhe njeriu i keq nxjerr të këqija nga thesari i tij i keq. Unë po ju them se në ditën e gjykimit njerëzit do të përgjigjen për çdo fjalë të kotë që do të thonë, se nga fjalët tuaja do të bëheni të drejtë e nga fjalët tuaja do të dënoheni».
Lexo Mateu 12
Dëgjoj Mateu 12
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Mateu 12:22-37
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video