Jezui i thirri të dymbëdhjetët e u dha fuqi e pushtet mbi të gjithë djajtë, si edhe për të shëruar sëmundjet. Pastaj i dërgoi të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët. Atëherë u tha: «Mos merrni asgjë me vete për udhëtim, as shkop, as trastë, as bukë, as para e mos mbani dy tunika. Qëndroni në shtëpinë ku hyni derisa të niseni prej aty. Nëse ndokush nuk ju pranon, kur të dilni prej atij qyteti shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi ndaj tyre».
Dishepujt u nisën e shkuan nëpër fshatra, duke shpallur ungjillin e duke shëruar kudo.
Herod Tetrarku dëgjoi për gjithçka kishte ndodhur e u shqetësua, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ngjallur prej të vdekurve, disa të tjerë thoshin se ishte shfaqur Elia e të tjerë se ishte ngjallur një nga profetët e vjetër. Herodi tha: «Gjonit ia kam prerë kokën, por kush është ky për të cilin po dëgjoj këto gjëra?». Dhe kërkonte ta shihte.
Kur u kthyen, apostujt i treguan Jezuit për gjithçka kishin bërë. Ai i mori apostujt e u largua vetëm me ta drejt një qyteti të quajtur Betsaidë. Kur turmat e morën vesh këtë gjë, i shkuan pas. Jezui i mirëpriti, u foli për mbretërinë e Perëndisë dhe shëroi ata që kishin nevojë për shërim.
Dita po mbaronte dhe të dymbëdhjetët iu afruan Jezuit e i thanë: «Nise turmën të shkojë në fshatrat e fushat përreth, që të strehohen e të ushqehen, se ky vend është i shkretë». Por Jezui u tha: «Jepuni ju ndonjë gjë për të ngrënë!». Ata iu përgjigjën: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq. A të shkojmë e të blejmë ushqim për gjithë këtë popull?». Aty ishin rreth pesë mijë burra. Jezui u tha dishepujve: «Ulini njerëzit në grupe nga pesëdhjetë veta!». Ata vepruan ashtu dhe i ulën të gjithë. Jezui mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, i theu bukët e ua dha dishepujve t'ia shtronin turmës. Të gjithë hëngrën e u ngopën. Çfarë teproi u mblodh dhe u mbushën dymbëdhjetë shporta me copa buke.
Një herë, kur Jezui po lutej në një vend të veçuar e dishepujt ishin me të, ai i pyeti: «Kush thonë turmat se jam unë?». Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia, të tjerë se është ngjallur ndonjëri nga profetët e vjetër». Atëherë u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti i Perëndisë».
Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për këtë e u tha se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej.
Atëherë u tha të gjithëve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet çdo ditë e të më ndjekë. Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë atë. Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte e të rrënonte veten? Por edhe Biri i njeriut, kur të vijë me lavdinë e tij e me lavdinë e Atit dhe të engjëjve të shenjtë, do të ketë turp për ata që kanë turp nga unë apo nga fjalët e mia. Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu, nuk do të provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë».
Rreth tetë ditë pasi tha këto fjalë, Jezui mori me vete Pjetrin, Gjonin, Jakobin e u ngjit në mal për t'u lutur. Ndërsa lutej, pamja e fytyrës i ndryshoi e rrobat i morën një bardhësi vezulluese. Pastaj panë dy burra që po flisnin me Jezuin. Ishin Moisiu dhe Elia që u shfaqën në lavdi e po flisnin për veprën që do të përmbushte Jezui me vdekjen e tij në Jerusalem.
Pjetri dhe ata që e shoqëronin kishin rënë në gjumë të thellë, por u zgjuan dhe panë lavdinë e tij e të dy burrave që ishin me të.
Kur po ndaheshin, Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Pjetri nuk dinte çfarë po thoshte. Ndërsa po fliste, erdhi një re e i mbështolli. Kur hynë në re, dishepujt i zuri frika. Pastaj nga reja u dëgjua një zë që tha: «Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!». Si u dëgjua zëri, Jezui mbeti vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i treguan askujt për gjërat që kishin parë.