Kur po kthehej, Jezuit i doli para turma, sepse të gjithë po e prisnin. Atëherë iu afrua një njeri me emrin Jair që ishte kryetar i sinagogës. Ai i ra ndër këmbë Jezuit e iu lut të shkonte në shtëpinë e tij, se vajza e tij e vetme, që ishte dymbëdhjetë vjeçe, ishte duke vdekur.
Gjatë udhës turmat e shtynin nga të gjitha anët. Në grua që vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga hemorragjia, megjithëse kishte shpenzuar gjithçka kishte pasur e askush nuk kishte mundur ta shëronte iu afrua nga pas, i preku cepin e gunës dhe menjëherë iu ndal hemorragjia. Atëherë Jezui tha: «Kush më preku?». Meqenëse të gjithë e mohuan, Pjetri i tha: «Mësues, turmat po të rrethojnë e po të shtyjnë». Por Jezui tha: «Dikush më preku, sepse ndjeva fuqinë që doli prej meje». Atëherë gruaja, kur pa se nuk mund të fshihej, erdhi duke u dridhur, i ra ndër këmbë dhe tregoi para gjithë popullit përse e kishte prekur Jezuin e si ishte shëruar menjëherë. Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe».
Ndërsa po fliste, erdhi dikush nga shtëpia e kryetarit të sinagogës e i tha: «Jot bijë vdiq. Mos e shqetëso më mësuesin». Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Mos ki frikë, vetëm beso e ajo do të shpëtojë». Kur arriti te shtëpia, nuk lejoi askënd të hynte me të, përveç Pjetrit, Gjonit, Jakobit, të atit e të ëmës së vajzës. Të gjithë po e qanin dhe e vajtonin, por Jezui tha: «Mos qani! Ajo nuk ka vdekur, por po fle». Por ata e përqeshën, sepse e dinin se kishte vdekur.
Atëherë Jezui e mori për dore e thirri: «Vashëz, ngrihu!». Asaj iu kthye shpirti e u ngrit menjëherë. Pastaj Jezui u tha t'i jepnin për të ngrënë. Prindërit e saj u mrekulluan, por ai i urdhëroi të mos i tregonin askujt për çfarë kishte ndodhur.