Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 5:1-16

Luka 5:1-16 AL1

Jezui gjendej pranë liqenit të Gjenesaretit dhe turma shtyhej drejt tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë. Ai pa dy varka në breg të liqenit, por peshkatarët kishin dalë nga varkat e po lanin rrjetat. Si hipi në njërën prej tyre, në atë të Simonit, i kërkoi ta largonte pak nga bregu. Pastaj u ul e mësonte turmën nga varka. Kur mbaroi së foluri, i tha Simonit: «Shko tej në thellësi e hidhni rrjetat për peshkim». Simoni iu përgjigj: «Mësues, jemi munduar gjithë natën e nuk kemi zënë asgjë, por për hir të fjalës sate do t'i hedh rrjetat». Si bënë kështu, kapën aq shumë peshk, saqë po u griseshin rrjetat. Atëherë u bënë shenjë atyre që ishin në varkën tjetër të vinin e t'i ndihmonin. Ata erdhën dhe të dyja varkat u mbushën aq shumë sa po fundoseshin. Kur e pa këtë gjë, Simon Pjetri ra në gjunjë para Jezuit e tha: «O Zot, largohu prej meje, se jam njeri mëkatar». Ai dhe të gjithë ata që ishin me të u çuditën nga sasia e madhe e peshkut që kishin zënë. Aty ishin edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, të afërm të Simonit. Atëherë Jezui i tha Simonit: «Mos ki frikë! Që tani do të jesh peshkatar njerëzish». Si i nxorën varkat në breg, ata lanë gjithçka e shkuan pas Jezuit. Ndërsa Jezui gjendej në një qytet, erdhi një burrë që e kishte mbuluar lebra. Kur e pa Jezuin, ra përmbys e iu lut: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë. Jezui e urdhëroi të mos i tregonte askujt e i tha: «Shko e paraqitu te prifti e kushto një fli për pastrimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu. Kjo t'u shërbejë si dëshmi». Megjithatë, fjala për Jezuin përhapej gjithnjë e më shumë dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar e për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre. Por ai u tërhoq në vende të shkreta e lutej.