Jezui, plot me Shpirtin e shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë. Atje u tundua nga djalli për dyzet ditë. Gjatë këtyre ditëve nuk hëngri asgjë dhe kur kaluan ato ditë, e mori uria. Djalli i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë». Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: njeriu nuk jeton vetëm me bukë ». Pastaj djalli e ngjiti lart, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës në një çast e i tha: «Unë do të ta jap gjithë pushtetin dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë mua dhe unë mund t'ia jap kujt të dua. Gjithçka do të jetë e jotja nëse bie në gjunjë para meje». Dhe Jezui i tha: «Është shkruar: adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm atij ». Pastaj djalli e çoi në Jerusalem, e vuri në pikën më të lartë të tempullit e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu që këtu, sepse është shkruar: do t'i urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë dhe: do të të mbajnë në duart e tyre, që mos të të ndeshë këmba në gur ». Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd ». Pasi e tundoi Jezuin në të gjitha mënyrat, djalli u largua prej tij për njëfarë kohe. Jezui u kthye në Galile me fuqinë e Shpirtit dhe për të u hap fjala në mbarë rrethinat e atij vendi. Ai i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e përlëvdonin. Jezui shkoi në Nazaret, atje ku ishte rritur. Ditën e shtunë, sipas zakonit, shkoi në sinagogë. U ngrit për të lexuar dhe i dhanë librin e profetit Isai. Ai e hapi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: « Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse ai më ka vajosur për t'u shpallur ungjillin të varfërve . Më ka dërguar për t'u shpallur robërve lirinë e për t'u kthyer të verbërve shikimin, për të çliruar të shtypurit e për të shpallur vitin e hirit të Zotit ». E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai.
Lexo Luka 4
Dëgjoj Luka 4
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Luka 4:1-20
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video