Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 4

4
Tundimi i Jezuit
(Mt 4.1-11; Mk 1.12-13)
1Jezui, plot me Shpirtin e shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë. 2Atje u tundua nga djalli për dyzet ditë. Gjatë këtyre ditëve nuk hëngri asgjë dhe kur kaluan ato ditë, e mori uria. 3Djalli i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë». 4Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: njeriu nuk jeton vetëm me bukë#4.4 dorëshk. të tjera edhe: por prej çdo fjale të Perëndisë ». 5Pastaj djalli e ngjiti lart, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës në një çast 6e i tha: «Unë do të ta jap gjithë pushtetin dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë mua dhe unë mund t'ia jap kujt të dua. 7Gjithçka do të jetë e jotja nëse bie në gjunjë para meje». 8Dhe Jezui i tha#4.8 dorëshk. të tjera edhe: largohu prej meje Satan: «Është shkruar:
adhuro Zotin, Perëndinë tënd,
dhe shërbeji vetëm atij».
9Pastaj djalli e çoi në Jerusalem, e vuri në pikën më të lartë të tempullit e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu që këtu, 10sepse është shkruar:
do t'i urdhërojë engjëjt e tij
të të ruajnë
11dhe:
do të të mbajnë në duart e tyre,
që mos të të ndeshë këmba në gur».
12Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd».
13Pasi e tundoi Jezuin në të gjitha mënyrat, djalli u largua prej tij për njëfarë kohe.
Shërbesa në Galile
(Mt 4.12-17; Mk 1.14-15)
14Jezui u kthye në Galile me fuqinë e Shpirtit dhe për të u hap fjala në mbarë rrethinat e atij vendi. 15Ai i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e përlëvdonin.
Profeti dhe vendlindja
(Mt 13.53-58; Mk 6.1-6)
16Jezui shkoi në Nazaret, atje ku ishte rritur. Ditën e shtunë, sipas zakonit, shkoi në sinagogë. U ngrit për të lexuar 17dhe i dhanë librin e profetit Isai. Ai e hapi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:
18«Shpirti i Zotit është mbi mua,
sepse ai më ka vajosur
për t'u shpallur ungjillin të varfërve # 4.18 dorëshk. të tjera edhe: ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer .
Më ka dërguar
për t'u shpallur robërve lirinë
e për t'u kthyer të verbërve shikimin,
për të çliruar të shtypurit
19 e për të shpallur vitin e hirit të Zotit».
20E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai. 21Jezui filloi t'u thoshte: «Sot u përmbush ky Shkrim që e dëgjuat me veshët tuaj».
22Të gjithë flisnin mirë për të e mrekulloheshin nga fjalët plot hir që dilnin nga goja e tij e thoshin: «A nuk është ky i biri i Jozefit?». 23Jezui u tha: «Ju do të më përmendni pa dyshim këtë thënie: mjek, shëro veten. Bëj edhe këtu në vendin tënd çfarë kemi dëgjuar se ke bërë në Kafarnaum». 24Dhe vazhdoi: «Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendlindjen e tij. 25Por, me të vërtetë po ju them: në kohën e Elisë kishte shumë vejusha në Izrael kur qielli ishte i mbyllur për tre vjet e gjashtë muaj, kur në mbarë tokën ra zia e bukës. 26Megjithatë, Elia nuk qe dërguar tek asnjëra prej tyre, por vetëm në Sarepta, në tokën e Sidonit, te një grua e ve. 27Në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael e, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u pastrua, por vetëm Namani nga Siria».
28Të gjithë ata që ishin në sinagogë u mbushën me zemërim kur e dëgjuan këtë. 29U ngritën, e nxorën jashtë qytetit dhe e çuan në majë të kodrës, ku ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin në humnerë. 30Por Jezui kaloi përmes tyre dhe u largua.
I pushtuari nga një shpirt i ndyrë
(Mk 1.21-28)
31Jezui shkoi në Kafarnaum, në një qytet të Galilesë dhe po i mësonte njerëzit ditën e shtunë. 32Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se fliste me pushtet. 33Në sinagogë gjendej një njeri që ishte i pushtuar nga shpirti i një djalli të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë: 34«Çfarë ke me ne, o Jezui i Nazaretit? Ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». 35Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë e përplasi njeriun në mes të turmës dhe doli prej tij pa e dëmtuar. 36Të gjithë u mrekulluan e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'është kjo fjalë? Ai i urdhëron shpirtrat e ndyrë me pushtet e me fuqi dhe ata dalin». 37Dhe për të u hap fjala kudo në ato rrethina.
Shërimi i shumë vetave
(Mt 8.14-17; Mk 1.29-34)
38Jezui u ngrit, doli nga sinagoga e shkoi në shtëpinë e Simonit. Vjehrra e Simonit ishte sëmurë me ethe të forta, prandaj iu lutën që ta shëronte. 39Jezui u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lanë. Ajo u ngrit menjëherë e filloi t'u shërbente.
40Në perëndim të diellit, të gjithë ata që kishin të sëmurë që vuanin nga sëmundje të ndryshme i sillnin te Jezui. Ai vendoste duart mbi secilin prej tyre dhe i shëronte. 41Prej shumë vetave dilnin shpirtra të ndyrë që bërtisnin: «Ti je Biri i Perëndisë!». Por Jezui i qortonte e nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.
Predikimi nëpër Jude
(Mk 1.35-39)
42Kur agoi dita, Jezui doli nga qyteti e shkoi drejt një vendi të shkretë. Një turmë e madhe shkoi për ta kërkuar dhe kur e gjetën, nuk donin që ai të largohej prej tyre, 43por Jezui u tha: «Më duhet ta shpall ungjillin e mbretërisë së Perëndisë edhe në qytetet e tjera, se për këtë gjë jam dërguar». 44Dhe predikonte nëpër sinagogat e Judesë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Luka 4: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr