Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 3

3
Predikimi i Gjon Pagëzorit
(Mt 3.1-12; Mk 1.1-8; Gjn 1.19-28)
1Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Cezar Tiberit, kur Ponc Pilati ishte qeveritar i Judesë dhe Herodi, tetrark i Galilesë, ndërsa vëllai i tij, Filipi, tetrark i krahinës së Ituresë e Trakonitidës, kur Lisania ishte tetrark i Abilenës 2dhe kryepriftërinj ishin Hanahu e Kajafa, Gjonit, birit të Zakarisë, iu dha fjala e Perëndisë në shkretëtirë. 3Ai shkoi në mbarë krahinën përreth Jordanit dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t'u faleshin mëkatet. 4Siç është shkruar në librin e profetit Isai:
një zë thërret në shkretëtirë:
bëni gati udhën për Zotin,
drejtoni shtigjet e tij.
5 Çdo luginë le të mbushet
e çdo mal e kodër
le të rrafshohet.
Drejtoni udhët e shtrembra
e rrafshoni rrugët e ashpra.
6 Çdo njeri do ta shohë
shpëtimin e Perëndisë.
7Gjoni u thoshte turmave që vinin për t'u pagëzuar tek ai: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t'i ikni zemërimit që po vjen? 8Jepni fryte të denja pendimi e mos filloni t'i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t'i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. 9Që tani pemëve u është vënë sëpata në rrënjë. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr». 10Turmat e pyetën: «Ç'duhet të bëjmë, atëherë?». 11Gjoni u përgjigj: «Kush ka dy tunika, le t'ia japë njërën atij që nuk ka. Ai që ka për të ngrënë, le të veprojë po kështu». 12Erdhën për t'u pagëzuar edhe tagrambledhësit e i thanë: «Mësues, ç'duhet të bëjmë?». 13Ai u tha: «Mos mblidhni më shumë nga ç'ju është ngarkuar». 14Edhe disa ushtarë e pyetën: «Po ne, ç'duhet të bëjmë?». Gjoni u tha: «Mos i merrni askujt gjë me dhunë e duke mashtruar, por kënaquni me pagën tuaj».
15Populli ishte në pritje dhe të gjithë mendonin në zemrat e tyre se mos Gjoni ishte Krishti. 16Atëherë Gjoni u tha: «Unë po ju pagëzoj me ujë, por po vjen dikush më i fuqishëm se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t'i zgjidh sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. 17Ai e mban në dorë terploten për ta ndarë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunarin e tij, ndërsa kashtën do ta djegë në zjarrin që nuk shuhet kurrë».
18Gjoni ia shpallte lajmin e mirë popullit edhe me shumë porosi të tjera. 19Herod Tetrarku, të cilin Gjoni e kishte qortuar për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të vet, si edhe për të gjitha të këqijat që kishte bërë, 20bëri edhe këtë të keqe: e futi Gjonin në burg.
Pagëzimi i Jezuit
(Mt 3.13-17; Mk 1.9-11)
21Kur u pagëzua gjithë populli, u pagëzua edhe Jezui dhe kur po lutej, u hap qielli 22e mbi të zbriti Shpirti i shenjtë me trajtë trupore si pëllumb. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur».
Breznitë e Jezuit
(Mt 1.1-17)
23Kur Jezui filloi shërbesën, ishte rreth tridhjetë vjeç. E pandehnin të birin e Jozefit. Jozefi ishte biri i Eliut, 24të birit të Matatit, të birit të Levit, të birit të Melkiut, të birit të Janait, të birit të Jozefit, 25të birit të Matatisë, të birit të Amosit, të birit të Naumit, të birit të Esliut, të birit të Nagait, 26të birit të Mahatit, të birit të Matatisë, të birit të Semeinit, të birit të Josekut, të birit të Jodait, 27të birit të Johananit, të birit të Resës, të birit të Zorobabelit, të birit të Salatielit, të birit të Nerit, 28të birit të Melkiut, të birit të Adiut, të birit të Kosamit, të birit të Elmadamit, të birit të Erit, 29të birit të Jozuehut, të birit të Eliezerit, të birit të Jorimit, të birit të Matatit, të birit të Levit, 30të birit të Simeonit, të birit të Judës, të birit të Jozefit, të birit të Jonamit, të birit të Eliakimit, 31të birit të Meleas, të birit të Menait, të birit të Matatait, të birit të Natamit, të birit të Davidit, 32të birit të Jeseut, të birit të Jobedit, të birit të Boozit, të birit të Salait, të birit të Naasonit, 33të birit të Aminadabit, të birit të Adminit, të birit të Arnit, të birit të Esromit, të birit të Faresit, të birit të Judës, 34të birit të Jakobit, të birit të Isakut, të birit të Abrahamit, të birit të Tarait, të birit të Nahorit, 35të birit të Serukut, të birit të Ragaut, të birit të Falekut, të birit të Eberit, të birit të Salait, 36të birit të Kainamit, të birit të Arfaksadit, të birit të Semit, të birit të Noeut, të birit të Lamekut, 37të birit të Metusalait, të birit të Enokut, të birit të Jaretit, të birit të Maleleelit, të birit të Kainamit, 38të birit të Enout, të birit të Setit, të birit të Adamit, të birit të Perëndisë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Luka 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr