Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 23:1-29

Luka 23:1-29 AL1

Atëherë tërë turma e tyre u ngrit, e çuan Jezuin te Pilati dhe filluan ta padisnin kështu: «E zumë këtë njeri duke e nxjerrë popullin tonë nga udha. Ai ndalon t'i paguhen taksat Cezarit, e quan veten Krisht e thotë se është mbret». Atëherë Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua». Atëherë Pilati u tha kryepriftërinjve e turmave: «Nuk gjej asnjë faj te ky njeri». Por ata ngulnin këmbë e thoshin: «Ai e ngre popullin në këmbë duke mësuar njerëzit nëpër tërë Judenë, që nga Galilea deri këtu». Kur e dëgjoi këtë, Pilati pyeti nëse ky njeri ishte galileas. Si mori vesh se Jezui vinte nga krahina që qeverisej prej Herodit, e dërgoi tek ai, meqenëse Herodi gjendej në Jerusalem ato ditë. Kur e pa Jezuin, Herodi u gëzua shumë. Ai kishte shumë kohë që donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar për Jezuin e shpresonte ta shihte duke bërë ndonjë shenjë. Ai e pyeti gjatë, por Jezui nuk iu përgjigj. Aty ishin edhe kryepriftërinjtë e shkruesit, të cilët e padisnin plot zemërim. Edhe Herodi me ushtarët e vet e tallën dhe e përqeshën Jezuin. Pastaj i hodhën mbi supe një veshje të shndritshme dhe e dërguan te Pilati. Atë ditë Herodi e Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, sepse më parë kishin qenë në armiqësi. Atëherë Pilati thirri kryepriftërinjtë, krerët dhe popullin e u tha: «Më keni sjellë këtë njeri e më thoni se ai e nxjerr popullin nga udha. Ja, unë e hetova para syve tuaj, por nuk e gjeta te ky njeri fajin për të cilin e padisni dhe as Herodi, sepse ai e ktheu te ne. Ky nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. Prandaj do ta ndëshkoj e do ta liroj». Atëherë ata bërtitën të gjithë së bashku: «Vrite këtë e na liro Barabën». Barabën e kishin futur në burg për një kryengritje që kishte ndodhur në qytet dhe për vrasje. Pilati, që dëshironte ta lironte Jezuin, iu drejtua përsëri atyre, por ata bërtisnin e thoshin: «Kryqëzoje, kryqëzoje!». Për të tretën herë ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë? Nuk kam gjetur tek ai asnjë faj për ta dënuar me vdekje, prandaj do ta ndëshkoj e do ta liroj». Por ata ngulnin këmbë dhe kërkonin me britma të mëdha që të kryqëzohej. Ulërimat e tyre bëheshin gjithnjë e më të forta. Atëherë Pilati vendosi t'u plotësohej kërkesa. Liroi njeriun që kishin kërkuar, atë që ishte futur në burg për kryengritje e vrasje, dhe u dorëzoi Jezuin, siç dëshironin ata. Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, morën njëfarë Simoni nga Kirena, i cili po vinte nga ara dhe i ngarkuan kryqin që ta mbartte pas Jezuit. Një turmë e madhe njerëzish shkonin pas tij. Mes tyre ishin edhe disa gra që rrihnin kraharorin e qanin për të, por Jezui u kthye drejt tyre e u tha: «Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, por qani për veten dhe për fëmijët tuaj. Po vijnë ditët në të cilat do të thuhet: “Lum shterpat, lum ato që nuk lindën kurrë dhe gjinjtë që nuk mëkuan!”.