Jezui doli e shkoi në malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij. Kur arriti atje, u tha dishepujve: «Lutuni që të mos bini në tundim». Pastaj u largua prej tyre sa një e hedhur guri, ra në gjunjë e u lut kështu: «Atë, nëse do, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, u bëftë jo vullneti im, por i yti!». Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli e i dha forcë. Kur e zuri ankthi i vdekjes, u lut edhe më fort. Atëherë djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë. Si u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt e i gjeti duke fjetur nga trishtimi. Atëherë u tha: «Përse po flini? Ngrihuni e lutuni që të mos bini në tundim».
Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi një turmë së cilës i printe njëri nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë. Ai iu afrua Jezuit për ta puthur, por Jezui i tha: «Judë, me puthje po e tradhton Birin e njeriut?». Kur panë se çfarë po ndodhte, ata që ishin rreth tij i thanë: «Zot, a t'u biem me shpata?». Atëherë njëri prej tyre goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë, por Jezui tha: «Mjaft me kaq!». Pastaj ia preku veshin dhe e shëroi.
Jezui u tha kryepriftërinjve, rojave të tempullit e pleqve që kishin ardhur për të: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë me ju në tempull e nuk më kapët, por ky është çasti juaj dhe pushteti i errësirës».
Atëherë e kapën Jezuin, e morën dhe e çuan në shtëpinë e kryepriftit, ndërsa Pjetri e ndoqi nga larg. Aty kishin ndezur një zjarr në mes të oborrit, ishin ulur së bashku dhe Pjetri ishte mes tyre. Kur një shërbëtore e pa Pjetrin të ulur pranë zjarrit, ia nguli sytë e tha: «Edhe ky njeri ishte me të». Por Pjetri e mohoi e tha: «Grua, unë nuk e njoh atë». Pak më vonë dikush tjetër e pa Pjetrin e tha: «Edhe ti je një nga ata». Por Pjetri tha: «Nuk jam, o njeri». Pas rreth një ore, edhe një tjetër nguli këmbë e tha: «Është e vërtetë që edhe ky ishte me të, sepse është galileas». Por Pjetri tha: «O njeri, nuk e di për çfarë po flet». Atë çast, ndërsa ai po fliste, këndoi gjeli.
Atëherë Zoti u kthye dhe vështroi Pjetrin. Pjetrit iu kujtuan fjalët e Zotit kur i kishte thënë: «Sot, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.
Njerëzit që e ruanin Jezuin e tallnin dhe e rrihnin. Ata ia lidhën sytë dhe e pyesnin: «Gjeje kush të goditi?». Dhe e fyenin me shumë fjalë të tjera.
Kur u bë ditë, u mblodhën pleqësia e popullit, kryepriftërinjtë e shkruesit, dhe e çuan Jezuin në sinedrin e tyre e i thanë: «Nëse je Krishti, na e thuaj».
Por Jezui u tha: «Po t'jua them, nuk do të më besoni, dhe po t'ju pyes, nuk do të më përgjigjeni, por që tani Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm ». Atëherë të gjithë thanë: «A je ti, pra, Biri i Perëndisë?». Dhe Jezui u tha: «Ju po e thoni. Unë jam». Dhe ata thanë: «Për çfarë dëshmie tjetër kemi nevojë? E dëgjuam vetë nga goja e tij».