Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 22:31-65

Luka 22:31-65 AL1

«Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t'ju kalojë nëpër shoshë porsi grurin, por unë jam lutur për ty që të mos shterojë besimi yt. Dhe ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu». Pjetri i tha: «Zot, unë jam gati të vij me ty në burg e në vdekje». Por Jezui iu përgjigj: «Pjetër, unë po të them se sot nuk do të ketë kënduar ende gjeli para se ti të mohosh tri herë që më njeh». Pastaj Jezui u tha: «Kur ju dërgova pa para, pa trastë e pa sandale, a ju mungoi gjë?». Ata i thanë: «Asgjë». Atëherë ai u tha: «Por tani, kush ka para, le t'i marrë me vete. Po ashtu edhe kush ka trastë. Dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë gunën e vet e të blejë një shpatë. Unë po ju them se në mua duhet të përmbushet çka është shkruar: u radhit me të paudhët. Se çfarë është thënë për mua po përmbushet». Ata i thanë: «Zot, ja, këtu janë dy shpata». Ai u përgjigj: «Është mjaft». Jezui doli e shkoi në malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij. Kur arriti atje, u tha dishepujve: «Lutuni që të mos bini në tundim». Pastaj u largua prej tyre sa një e hedhur guri, ra në gjunjë e u lut kështu: «Atë, nëse do, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, u bëftë jo vullneti im, por i yti!». Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli e i dha forcë. Kur e zuri ankthi i vdekjes, u lut edhe më fort. Atëherë djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë. Si u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt e i gjeti duke fjetur nga trishtimi. Atëherë u tha: «Përse po flini? Ngrihuni e lutuni që të mos bini në tundim». Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi një turmë së cilës i printe njëri nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë. Ai iu afrua Jezuit për ta puthur, por Jezui i tha: «Judë, me puthje po e tradhton Birin e njeriut?». Kur panë se çfarë po ndodhte, ata që ishin rreth tij i thanë: «Zot, a t'u biem me shpata?». Atëherë njëri prej tyre goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë, por Jezui tha: «Mjaft me kaq!». Pastaj ia preku veshin dhe e shëroi. Jezui u tha kryepriftërinjve, rojave të tempullit e pleqve që kishin ardhur për të: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë me ju në tempull e nuk më kapët, por ky është çasti juaj dhe pushteti i errësirës». Atëherë e kapën Jezuin, e morën dhe e çuan në shtëpinë e kryepriftit, ndërsa Pjetri e ndoqi nga larg. Aty kishin ndezur një zjarr në mes të oborrit, ishin ulur së bashku dhe Pjetri ishte mes tyre. Kur një shërbëtore e pa Pjetrin të ulur pranë zjarrit, ia nguli sytë e tha: «Edhe ky njeri ishte me të». Por Pjetri e mohoi e tha: «Grua, unë nuk e njoh atë». Pak më vonë dikush tjetër e pa Pjetrin e tha: «Edhe ti je një nga ata». Por Pjetri tha: «Nuk jam, o njeri». Pas rreth një ore, edhe një tjetër nguli këmbë e tha: «Është e vërtetë që edhe ky ishte me të, sepse është galileas». Por Pjetri tha: «O njeri, nuk e di për çfarë po flet». Atë çast, ndërsa ai po fliste, këndoi gjeli. Atëherë Zoti u kthye dhe vështroi Pjetrin. Pjetrit iu kujtuan fjalët e Zotit kur i kishte thënë: «Sot, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim. Njerëzit që e ruanin Jezuin e tallnin dhe e rrihnin. Ata ia lidhën sytë dhe e pyesnin: «Gjeje kush të goditi?». Dhe e fyenin me shumë fjalë të tjera.