Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 22:1-46

Luka 22:1-46 AL1

Ndërkaq po afrohej festa e Bukëve të ndorme që quhet Pashkë. Kryepriftërinjtë dhe shkruesit po kërkonin sesi ta vrisnin Jezuin, por kishin frikë nga populli. Atëherë Satani hyri te Juda që quhej Iskariot e që ishte njëri prej të dymbëdhjetëve. Ky shkoi për t'u marrë vesh me kryepriftërinjtë dhe rojat sesi mund t'ua dorëzonte Jezuin. Ata u gëzuan shumë e ranë në një mendje për t'i dhënë para. Kështu Juda pranoi dhe kërkonte rastin që t'ua dorëzonte pa qenë e pranishme turma. Kur erdhi dita e festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, Jezui dërgoi Pjetrin e Gjonin e u tha: «Shkoni e bëni përgatitjet që të hamë Pashkën». Ata e pyetën: «Ku dëshiron ta përgatisim?». Jezui u tha: «Dëgjoni, kur të hyni në qytet do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Shkojini pas deri te shtëpia ku do të hyjë ai e i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi na ka dërguar të të pyesim: ku është dhoma e pritjes ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?”. Në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty shtrojeni darkën». Ata shkuan, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën. Kur erdhi koha, Jezui u ul për të ngrënë bashkë me apostujt. Ai u tha: «Sa shumë kam dëshiruar ta ha këtë Pashkë me ju para se të vuaj, sepse po ju them, nuk do të ha më nga kjo Pashkë, derisa ajo të përmbushet në mbretërinë e Perëndisë». Pastaj mori kupën, tha lutjen e falënderimit e tha: «Merreni e ndajeni këtë mes jush. Unë po ju them se që tani nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, derisa të vijë mbretëria e Perëndisë». Pastaj mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Ky është trupi im që jepet për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim». Po ashtu, pas darkës, bëri edhe me kupën e tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju. Por ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë. Biri i njeriut po shkon sikurse është caktuar, por mjerë ai njeri që e tradhton». Atëherë ata filluan të pyesnin njëri-tjetrin se cili prej tyre do ta bënte këtë gjë. Mes dishepujve lindi një grindje se kush prej tyre duhej të quhej më i madhi. Por Jezui u tha: «Mbretërit e kombeve sundojnë mbi ta dhe ata që kanë pushtet mbi ta quhen bamirës. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu. Përkundrazi, më i madhi ndër ju duhet të bëhet si më i vogli dhe udhëheqësi si shërbëtori. Kush është më i madh, ai që është në tryezë apo ai që shërben? A nuk është ai që rri në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben. Ju jeni ata që keni qëndruar me mua në tundimet e mia dhe unë po ju lë juve në dorë mbretërinë, ashtu si ma la mua Ati im, që ju të mund të hani e të pini në tryezën e mbretërisë sime. Ju do të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit». «Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t'ju kalojë nëpër shoshë porsi grurin, por unë jam lutur për ty që të mos shterojë besimi yt. Dhe ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu». Pjetri i tha: «Zot, unë jam gati të vij me ty në burg e në vdekje». Por Jezui iu përgjigj: «Pjetër, unë po të them se sot nuk do të ketë kënduar ende gjeli para se ti të mohosh tri herë që më njeh». Pastaj Jezui u tha: «Kur ju dërgova pa para, pa trastë e pa sandale, a ju mungoi gjë?». Ata i thanë: «Asgjë». Atëherë ai u tha: «Por tani, kush ka para, le t'i marrë me vete. Po ashtu edhe kush ka trastë. Dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë gunën e vet e të blejë një shpatë. Unë po ju them se në mua duhet të përmbushet çka është shkruar: u radhit me të paudhët. Se çfarë është thënë për mua po përmbushet». Ata i thanë: «Zot, ja, këtu janë dy shpata». Ai u përgjigj: «Është mjaft». Jezui doli e shkoi në malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij. Kur arriti atje, u tha dishepujve: «Lutuni që të mos bini në tundim». Pastaj u largua prej tyre sa një e hedhur guri, ra në gjunjë e u lut kështu: «Atë, nëse do, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, u bëftë jo vullneti im, por i yti!». Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli e i dha forcë. Kur e zuri ankthi i vdekjes, u lut edhe më fort. Atëherë djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë. Si u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt e i gjeti duke fjetur nga trishtimi. Atëherë u tha: «Përse po flini? Ngrihuni e lutuni që të mos bini në tundim».

Video for Luka 22:1-46