Ndërkaq po afrohej festa e Bukëve të ndorme që quhet Pashkë. Kryepriftërinjtë dhe shkruesit po kërkonin sesi ta vrisnin Jezuin, por kishin frikë nga populli. Atëherë Satani hyri te Juda që quhej Iskariot e që ishte njëri prej të dymbëdhjetëve. Ky shkoi për t'u marrë vesh me kryepriftërinjtë dhe rojat sesi mund t'ua dorëzonte Jezuin. Ata u gëzuan shumë e ranë në një mendje për t'i dhënë para. Kështu Juda pranoi dhe kërkonte rastin që t'ua dorëzonte pa qenë e pranishme turma. Kur erdhi dita e festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, Jezui dërgoi Pjetrin e Gjonin e u tha: «Shkoni e bëni përgatitjet që të hamë Pashkën». Ata e pyetën: «Ku dëshiron ta përgatisim?». Jezui u tha: «Dëgjoni, kur të hyni në qytet do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Shkojini pas deri te shtëpia ku do të hyjë ai e i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi na ka dërguar të të pyesim: ku është dhoma e pritjes ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?”. Në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty shtrojeni darkën». Ata shkuan, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën. Kur erdhi koha, Jezui u ul për të ngrënë bashkë me apostujt. Ai u tha: «Sa shumë kam dëshiruar ta ha këtë Pashkë me ju para se të vuaj, sepse po ju them, nuk do të ha më nga kjo Pashkë, derisa ajo të përmbushet në mbretërinë e Perëndisë». Pastaj mori kupën, tha lutjen e falënderimit e tha: «Merreni e ndajeni këtë mes jush. Unë po ju them se që tani nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, derisa të vijë mbretëria e Perëndisë». Pastaj mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Ky është trupi im që jepet për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim». Po ashtu, pas darkës, bëri edhe me kupën e tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju.
Lexo Luka 22
Dëgjoj Luka 22
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Luka 22:1-20
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video