Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 21:20-38

Luka 21:20-38 AL1

«Kur ta shihni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afër. Kështu, ata që janë në Jude të arratisen maleve, ata që janë në Jerusalem të dalin jashtë tij dhe ata që janë nëpër fshatra të mos hyjnë në Jerusalem, sepse këto janë ditët e shpagimit, në të cilat do të plotësohet çfarë është shkruar. Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë, se do të bjerë mjerim i madh mbi tokë dhe zemërim kundër këtij populli! Ata do të bien nga tehu i shpatës e do të bëhen robër ndër të gjithë kombet dhe Jerusalemi do të shkelet nga kombet, derisa t'u mbarojë koha kombeve». «Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Në tokë kombet do t'i zërë tmerri e ankthi nga buçima e detit dhe e valëve. Njerëzit për pak sa nuk do të vdesin nga frika dhe nga pritja e asaj që është duke rënë mbi botën, sepse pushtetet qiellore do të tranden. Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet e me lavdi të madhe. Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, ngrihuni e ngrijeni kokën, se shpengimi juaj është afër». Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë: «Shikoni fikun e të gjitha pemët. Sapo të shihni se kanë nxjerrë sytha, ju e dini se po afrohet vera. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë». «Ruhuni që të mos ju rëndohen zemrat nëpër shfrenitë, dehjet dhe ankthet e kësaj jete e të mos ju kapë në befasi ajo ditë, si të ishte një kurth. Ajo do të bjerë mbi të gjithë ata që jetojnë në mbarë faqen e dheut. Prandaj jini të vëmendshëm gjatë gjithë kohës e lutuni që të mund t'u ikni të gjitha këtyre gjërave që do të ndodhin e që të mund të qëndroni para Birit të njeriut». Gjatë ditës Jezui mësonte njerëzit në tempull, ndërsa natën e kalonte në një vend që quhej mali i Ullinjve. Gjithë populli zgjohej herët në mëngjes për të dëgjuar Jezuin në tempull.