Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 21:1-19

Luka 21:1-19 AL1

Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit tek hidhnin dhuratat e tyre në thesar. Ai pa edhe një vejushë të varfër që hodhi dy monedha të vogla bakri e tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër ka hedhur më shumë se ata të gjithë, sepse ata hodhën nga tepricat e tyre te dhuratat e thesarit, ndërsa ajo dha nga varfëria e saj gjithçka që kishte për të jetuar». Kur disa po flisnin për tempullin, sesi ishte i stolisur me gurë të bukur dhe i zbukuruar me dhurata kushtuar Perëndisë, Jezui tha: «Do të vijnë ditë kur, nga këto që po shihni, nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar». Atëherë e pyetën Jezuin: «Mësues, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se ato po ndodhin?». Ai tha: «Hapni sytë se mos ju mashtrojnë, sepse do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Jam unë” ose: “U afrua koha”. Mos shkoni pas tyre. Kur të dëgjoni për luftra e trazira, mos u tmerroni, sepse këto gjëra duhet të ndodhin më parë, por prapë fundi nuk do të vijë menjëherë». Pastaj u tha: «Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. Do të bien tërmete të mëdha e në disa vende do të ketë zi buke e murtaja. Do të ketë edhe dukuri të frikshme e shenja të mëdha nga qielli, por para se të ndodhin të gjitha këto, do t'ju kapin e do t'ju përndjekin. Do t'ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje dhe do t'ju çojnë para mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. Kështu do të mund të dëshmoni. Jini të vendosur e mos u parapërgatitni për vetëmbrojtjen tuaj, sepse unë do t'ju jap zotësinë për të folur dhe një urti të tillë saqë askush nga kundërshtarët tuaj nuk do t'i bëjë ballë e nuk do ta kundërshtojë dot. Deri edhe prindërit e vëllezërit, të afërmit e miqtë do t'ju tradhtojnë e do të vrasin disa prej jush. Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por asnjë fije floku nuk do t'ju bjerë nga koka. Me qëndresën tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj».