Një ditë, kur Jezui po mësonte njerëzit në tempull e po u shpallte të gjithëve ungjillin, erdhën kryepriftërinjtë, shkruesit dhe pleqtë e i thanë: «Na thuaj, me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju: më thoni, pagëzimi i Gjonit vinte prej qiellit apo prej njerëzve?». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. Po të themi “prej njerëzve”, populli do të na vrasë me gurë, sepse është i bindur se Gjoni ishte profet». Prandaj iu përgjigjën: «Nuk e dimë prej nga vinte». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra».
Jezui filloi t'i tregonte popullit këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri mbolli një vresht, ua dha disa vreshtarëve me qira e u largua në një vend të huaj për një kohë të gjatë. Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që t'i jepnin pjesën e tij nga prodhimi i vreshtit, por vreshtarët e rrahën dhe e nisën duarzbrazët. Pastaj dërgoi një shërbëtor tjetër. Edhe atë e rrahën, e shanë dhe e nisën duarzbrazët. Përsëri dërgoi një të tretë, por edhe këtë e plagosën dhe e dëbuan. Atëherë i zoti i vreshtit tha: “Çfarë të bëj? Do të dërgoj birin tim të dashur, se ndoshta për të do të kenë respekt”. Por kur e panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ta vrasim e kështu trashëgimia bëhet e jona”. Pastaj e dëbuan nga vreshti dhe e vranë.
Çfarë do t'u bëjë atyre i zoti i vreshtit? Ai do të vijë e do t'i vrasë ata vreshtarë e do t'ua japë vreshtin të tjerëve». Kur e dëgjuan këtë gjë, njerëzit thanë: «Larg qoftë!». Por Jezui hodhi sytë drejt tyre e tha: «Çfarë do të thotë ky Shkrim:
guri që ndërtuesit e hodhën tej,
u bë guri i qoshes?
Kushdo që bie mbi atë gur, do të bëhet copë dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta copëtojë».
Shkruesit dhe kryepriftërinjtë e kuptuan që Jezui e kishte thënë këtë shëmbëlltyrë kundër tyre, prandaj donin ta kapnin që në atë çast, por kishin frikë nga populli.
Dhe filluan ta vëzhgonin me kujdes Jezuin, prandaj i vunë spiunë që shtireshin sikur ishin njerëz të drejtë, me qëllim që ta zinin gabim në ndonjë fjalë dhe t'ia dorëzonin parisë e pushtetit të qeveritarit. Ata e pyetën: «Mësues, ne e dimë se flet e mëson drejt dhe nuk ndikohesh nga njeri, por u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. A është e lejueshme t'i paguajmë taksa Cezarit apo jo?». Por Jezui e kuptoi dinakërinë e tyre e u tha: «Më tregoni një monedhë. Figurën dhe mbishkrimin e kujt mban kjo monedhë?». Ata i thanë: «Të Cezarit». Jezui u tha: «Atëherë, jepini Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë».
Kështu, ata nuk mundën ta zinin në fjalë para popullit dhe, të mrekulluar me përgjigjen e tij, heshtën.