Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 20

20
Pushteti i Jezuit
(Mt 21.23-27; Mk 11.27-33)
1Një ditë, kur Jezui po mësonte njerëzit në tempull e po u shpallte të gjithëve ungjillin, erdhën kryepriftërinjtë, shkruesit dhe pleqtë 2e i thanë: «Na thuaj, me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». 3Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju: më thoni, 4pagëzimi i Gjonit vinte prej qiellit apo prej njerëzve?». 5Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. 6Po të themi “prej njerëzve”, populli do të na vrasë me gurë, sepse është i bindur se Gjoni ishte profet». 7Prandaj iu përgjigjën: «Nuk e dimë prej nga vinte». 8Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra».
Vreshti dhe vreshtarët
(Mt 21.33-46; Mk 12.1-12)
9Jezui filloi t'i tregonte popullit këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri mbolli një vresht, ua dha disa vreshtarëve me qira e u largua në një vend të huaj për një kohë të gjatë. 10Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që t'i jepnin pjesën e tij nga prodhimi i vreshtit, por vreshtarët e rrahën dhe e nisën duarzbrazët. 11Pastaj dërgoi një shërbëtor tjetër. Edhe atë e rrahën, e shanë dhe e nisën duarzbrazët. 12Përsëri dërgoi një të tretë, por edhe këtë e plagosën dhe e dëbuan. 13Atëherë i zoti i vreshtit tha: “Çfarë të bëj? Do të dërgoj birin tim të dashur, se ndoshta për të do të kenë respekt”. 14Por kur e panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ta vrasim e kështu trashëgimia bëhet e jona”. 15Pastaj e dëbuan nga vreshti dhe e vranë.
Çfarë do t'u bëjë atyre i zoti i vreshtit? 16Ai do të vijë e do t'i vrasë ata vreshtarë e do t'ua japë vreshtin të tjerëve». Kur e dëgjuan këtë gjë, njerëzit thanë: «Larg qoftë!». 17Por Jezui hodhi sytë drejt tyre e tha: «Çfarë do të thotë ky Shkrim:
guri që ndërtuesit e hodhën tej,
u bë guri i qoshes?
18Kushdo që bie mbi atë gur, do të bëhet copë dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta copëtojë».
19Shkruesit dhe kryepriftërinjtë e kuptuan që Jezui e kishte thënë këtë shëmbëlltyrë kundër tyre, prandaj donin ta kapnin që në atë çast, por kishin frikë nga populli.
Taksa e Cezarit
(Mt 22.15-22; Mk 12.13-17)
20Dhe filluan ta vëzhgonin me kujdes Jezuin, prandaj i vunë spiunë që shtireshin sikur ishin njerëz të drejtë, me qëllim që ta zinin gabim në ndonjë fjalë dhe t'ia dorëzonin parisë e pushtetit të qeveritarit. 21Ata e pyetën: «Mësues, ne e dimë se flet e mëson drejt dhe nuk ndikohesh nga njeri, por u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. 22A është e lejueshme t'i paguajmë taksa Cezarit apo jo?». 23Por Jezui e kuptoi dinakërinë e tyre e u tha#20.23 dorëshk. të tjera edhe: Përse më tundoni?: 24«Më tregoni një monedhë. Figurën dhe mbishkrimin e kujt mban kjo monedhë?». Ata i thanë: «Të Cezarit». 25Jezui u tha: «Atëherë, jepini Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë».
26Kështu, ata nuk mundën ta zinin në fjalë para popullit dhe, të mrekulluar me përgjigjen e tij, heshtën.
Çështja e ngjalljes
(Mt 22.23-33; Mk 12.18-27)
27Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, 28prandaj e pyetën: «Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan pa fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. 29Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa lënë fëmijë. 30I dyti#20.30 dorëshk. të tjera edhe: e mori për grua dhe vdiq pa lënë fëmijë 31e pastaj i treti u martuan me gruan e tij dhe që të shtatë nuk lanë fëmijë kur vdiqën. 32Në fund vdiq edhe gruaja. 33Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?». 34Jezui u tha: «Bijtë e kësaj bote martohen e martojnë, 35por ata që janë vlerësuar të denjë t'i përkasin botës tjetër e të arrijnë ngjalljen prej të vdekurve, as martohen, as martojnë. 36Ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, meqenëse janë bij të ngjalljes. 37Edhe Moisiu e ka treguar se të vdekurit do të ngjallen kur, te shkurrja, e quan Zotin, Perëndi të Abrahamit, Perëndi të Isakut e Perëndi të Jakobit. 38Pra, ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për Perëndinë». 39Atëherë disa nga farisenjtë i thanë: «Mësues, fole mirë». 40Dhe nuk guxonin ta pyesnin më.
Biri i Davidit
(Mt 22.41-46; Mk 12.35-37)
41Pastaj Jezui u tha: «Si mund të thonë se Krishti është Biri i Davidit? 42Davidi vetë thotë në librin e Psalmeve:
i tha Zoti, Zotit tim:
ulu në të djathtën time,
43 derisa t'i vë armiqtë e tu
si shtrojë e këmbëve të tua.
44Nëse Davidi e quan Zot, si mund të jetë ai biri i tij?».
Qortimi për shkruesit
(Mt 23.1-36; Mk 12.38-40; Lk 11.37-54)
45Kur gjithë populli po dëgjonte, Jezui u tha dishepujve të vet: 46«Ruhuni nga shkruesit, të cilëve u pëlqen të shëtisin me veshje të gjata e dëshirojnë t'i përshëndesin nëpër sheshe, të zënë vendet e para nëpër sinagoga dhe vendet e nderit nëpër festa. 47Ata përlajnë gjithçka nga shtëpitë e vejushave e thonë lutje të gjata për t'u dukur. Kështu, ata do të marrin një dënim më të rëndë».

Aktualisht i përzgjedhur:

Luka 20: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

Video for Luka 20