Jezui hyri në Jeriko e po kalonte nëpër qytet. Aty ishte një njeri me emrin Zake. Ai ishte kryetagrambledhës dhe ishte i pasur. Zakeu po përpiqej të shihte kush ishte Jezui, por ishte shtatvogël e nuk mund ta shihte për shkak të turmës. Atëherë vrapoi përpara e hipi në një fik për ta parë, sepse Jezui po kalonte asaj rruge. Kur Jezui arriti aty, ngriti sytë e i tha: «Zake, zbrit shpejt, se sot duhet të ndalem në shtëpinë tënde». Zakeu zbriti me nxitim dhe e priti i gëzuar. Të gjithë ata që e panë këtë, filluan të murmuritnin: «Ky shkoi mik te një mëkatar». Zakeu, që rrinte në këmbë, i tha Zotit: «Ja, Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime e nëse i kam marrë ndokujt para me mashtrim, do t'ia kthej katërfish». Atëherë Jezui i tha: «Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur».
Ndërsa po e dëgjonin, Jezui u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë, meqë ishte afër Jerusalemit dhe ata besonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej nga çasti në çast. Ai u tha: «Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej. Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”. Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t'i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne”. Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur. Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera”. Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete”. Pastaj erdhi i dyti e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë pesë të tjera”. Ai i tha: “Edhe ti qeveris pesë qytete!”. Pastaj erdhi tjetri e tha: “Zotëri, ja ku e ke monedhën tënde. Unë e mbështolla me një garzë, se kisha frikë nga ti, që je i rreptë, që merr çfarë nuk ke dhënë e korr çfarë nuk ke mbjellë”. Ai i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë, unë do të të gjykoj nga fjalët e tua. Ti e paske ditur se unë qenkam i rreptë, se marrkam çfarë nuk kam dhënë e korrkam çfarë nuk kam mbjellë? Atëherë pse nuk e fute në bankë paranë time, që kur të kthehesha ta merrja bashkë me fitimin?”. Pastaj u tha atyre që ishin aty: “Merrjani monedhën e jepjani atij që ka dhjetë!”. Ata i thanë: “Zotëri, po ai i ka dhjetë monedha”. Ai u përgjigj: “Unë po ju them se kujtdo që ka, do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. Ndërsa ata armiqtë e mi që nuk dëshironin të bëhesha mbreti i tyre, sillini këtu e vritini para syve të mi!”».
Pasi tha këto, Jezui u priu për në Jerusalem.