Një nga krerët e judenjve e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde! ». Atëherë ai i tha: «Të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Të mungon vetëm një gjë: shit gjithçka që ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Por kur i dëgjoi këto, ai u trishtua, se ishte shumë i pasur.
Jezui pa se ai u trishtua, prandaj tha: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». Ata që po e dëgjonin e pyetën: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». Jezui u përgjigj: «Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë».
Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka kishim dhe erdhëm pas teje». Dhe Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që kanë lënë shtëpi a grua, vëllezër a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Perëndisë, nuk do të mbetet pa marrë shumë më tepër në këtë kohë dhe do të marrë jetën e amshuar në botën tjetër».
Jezui i mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha: «Po shkojmë në Jerusalem dhe gjithçka që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushet. Ai do t'u dorëzohet kombeve që do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë dhe, pasi ta kenë fshikulluar, do ta vrasin, por ditën e tretë ai do të ngjallet». Ata nuk kuptuan asgjë, sepse ajo që u tha Jezui ishte e fshehtë për ta dhe nuk e morën vesh çfarë tha.
Ndërsa Jezui po i afrohej Jerikosë, një i verbër rrinte ulur ndanë udhës e lypte. Kur dëgjoi se po kalonte një turmë, pyeti se çfarë po ndodhte. Ata i thanë: «Po kalon Jezui i Nazaretit». Atëherë ai thirri me zë të lartë: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». Ata që ecnin përpara e urdhëruan të heshtte, por ai thirri edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». Jezui ndaloi e urdhëroi t'i sillnin të verbrin. Kur ai u afrua, Jezui e pyeti: «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». Ai i tha: «Zot, dua të shoh përsëri!». Dhe Jezui i tha: «Shih përsëri! Besimi yt të shpëtoi». Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit, duke përlëvduar Perëndinë. Të gjithë ata që e panë, lavdëruan Perëndinë.