Atëherë Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Cili nga ju, nëse ka njëqind dele e njëra prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë për të kërkuar atë që ka humbur, derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, e ngarkon mbi shpatulla i gëzuar. Pasi kthehet në shtëpi, mbledh miqtë e vet e të afërmit e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta delen që më kishte humbur”. Unë po ju them se kështu ndodh edhe në qiell. Aty ka më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që nuk kanë nevojë të pendohen».
«Ose, përsëri, nëse një grua ka dhjetë monedha argjendi dhe njëra i humb, a nuk shkon e ndez një kandil për të ndriçuar shtëpinë, që të kërkojë me kujdes derisa ta gjejë? E pasi e ka gjetur, thërret shoqet e saj e fqinjat e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta monedhën që më kishte humbur”. Unë po ju them: kështu gëzohen edhe engjëjt e Perëndisë për një mëkatar që pendohet».
Pastaj Jezui tha: «Një njeri kishte dy djem. Më i vogli i tha të atit: “Atë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon”. Kështu i ati ua ndau pasurinë djemve.
Pas pak ditësh më vonë djali i vogël mblodhi gjithçka kishte e shkoi në një vend të largët. Atje e çoi dëm pasurinë duke jetuar pa kokëçarje. Dhe si shpenzoi gjithçka, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të mbetej pa gjë. Atëherë shkoi e gjeti punë te njëri nga qytetarët e atij vendi dhe ky e dërgoi në ara që të ruante derrat. Atje do të kishte dashur shumë të ushqehej me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. Si erdhi në vete, tha: “Shumë nga punëtorët e tim eti kanë bukë e u tepron, ndërsa unë këtu po vdes urie. Do të çohem, do të shkoj tek im atë e do t'i them: atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më mbaj si një nga punëtorët e tu”.
Kështu u nis e shkoi tek i ati. Por ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe ndjeu dhembshuri për të. Vrapoi, e mbështolli në krahët e tij dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: “Atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt”. Por i ati u tha shërbëtorëve: “Sillni shpejt rrobën më të mirë e vishjani. Vërjani unazën në gisht e sandalet në këmbë. Merrni viçin e majmë e thereni. Le të hamë e të bëjmë festë, se ky biri im kishte vdekur e u ngjall, kishte humbur e u gjet!”. Dhe filluan të festonin.