Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 14:7-24

Luka 14:7-24 AL1

Jezui vuri re sesi të ftuarit zgjidhnin vendet e nderit dhe u tregoi një shëmbëlltyrë: «Kur të ftojnë në dasmë, mos u ul në vendin e nderit, se ndoshta është i ftuar ndokush më i nderuar se ti dhe ai që ju ka ftuar të dyve mund të vijë e të të thotë: “Lërja këtë vend këtij”. Dhe atëherë, i turpëruar, do të zësh vendin e fundit. Por kur të të ftojnë, shko e ulu në vendin e fundit, që kur të vijë ai që të ka ftuar, të të thotë: “Mik, eja më lart!”. E kështu do të jesh i nderuar nga të gjithë ata që janë në tryezë me ty. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet, e kush e përul vetveten, do të lartësohet». Atij që e kishte ftuar, Jezui i tha: «Kur të shtrosh një drekë a një darkë, mos fto miqtë e tu, vëllezërit, të afërmit e tu apo fqinjët e pasur, duke shpresuar se edhe ata do të të ftojnë e kështu do të shpërblehesh. Përkundrazi, kur të shtrosh një gosti, fto njerëz të varfër, të kërrusur, të çalë e të verbër. Atëherë do të jesh i lum, se ata nuk do të kenë me çfarë të të shpërblejnë, por ti do ta marrësh shpërblimin në ngjalljen e të drejtëve». Njëri nga të ftuarit, pasi kishte dëgjuar gjithçka, i tha Jezuit: «Lum kush ha bukë në mbretërinë e Perëndisë!». Por Jezui i tha: «Dikush shtroi një darkë të madhe e thirri shumë veta. Kur erdhi koha e darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t'u thoshte atyre që kishte ftuar: “Ejani, se çdo gjë është gati”. Por të gjithë, njëri pas tjetrit, filluan të gjenin shkaqe për të mos shkuar. I pari i tha: “Kam blerë një copë tokë e më duhet të dal e ta shoh. Të lutem më ndje!”. Dikush tjetër tha: “Unë kam blerë pesë pendë qe e po shkoj t'i provoj. Të lutem më ndje!”. Dikush tjetër tha: “Sapo jam martuar, prandaj nuk mund të vij”. E kështu shërbëtori u kthye dhe e njoftoi të zotin për të gjitha. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua e i tha shërbëtorit të vet: “Dil menjëherë në sheshet e në rrugët e qytetit e sill këtu të varfrit, të kërrusurit, të verbrit e të çalët”. Dhe shërbëtori i tha: “Zotëri, bëmë siç urdhërove dhe ka prapë vend”. Atëherë i zoti i tha shërbëtorit: “Dil nëpër rrugë e shtigje dhe detyroji njerëzit të hyjnë brenda, që të mbushet shtëpia ime”. Unë po ju them: asnjë nga ata që ishin të ftuar nuk do ta shijojë darkën time».