Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 13:22-35

Luka 13:22-35 AL1

Rrugës për në Jerusalem, Jezui përshkonte qytete e fshatra duke mësuar njerëzit. Dikush e pyeti: «Zot, a janë pak ata që shpëtohen?». Atëherë Jezui i tha: «Përpiquni të hyni nëpër derën e ngushtë, sepse po ju them se shumë do të mundohen të hyjnë, por nuk do të mundin. Nëse i zoti i shtëpisë është ngritur dhe e ka mbyllur derën e ju filloni të rrini përjashta e të trokisni në derë duke thënë: “Zot, na e hap derën!”, ai do të përgjigjet: “Nuk e di nga vini”. Atëherë do të filloni të thoni: “Kemi ngrënë e kemi pirë me ty e ti na ke mësuar nëpër sheshe”. Por ai do t'ju thotë: “Nuk e di nga vini. Largohuni nga unë të gjithë ju që bëni padrejtësi”. Atje do të ketë të qara e kërcëllimë dhëmbësh kur të shihni Abrahamin, Isakun e Jakobin bashkë me të gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa juve do t'ju kenë hedhur përjashta. Atëherë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të hanë në mbretërinë e Perëndisë. Dhe ja, të fundit do të jenë të parët e të parët do të jenë të fundit». Në atë çast disa farisenj erdhën e i thanë Jezuit: «Largohu që këtej se Herodi kërkon të të vrasë». Dhe Jezui u tha: «Shkoni e i thoni asaj dhelpre: “Ja, unë po dëboj djajtë e po shëroj sot e nesër. Ditën e tretë e mbaroj veprën time. Megjithatë, sot, nesër e pasnesër unë do të eci udhës sime, sepse nuk është e mundur që një profet të vritet jashtë Jerusalemit”. Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët e që me gurë vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët. Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni: bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! ».