«Ngjishini ijët për punë e mbajini kandilat ndezur. Jini si ata që presin të zotin e tyre që kthehet nga dasma, për t'i hapur derën sapo të trokasë. Lum ata shërbëtorë që, kur vjen i zoti, i gjen zgjuar. Me të vërtetë po ju them se ai do të ngjeshë ijët e do t'u thotë të ulen për të ngrënë. Pastaj do të vijë e do t'u shërbejë. Nëse vjen nga mesnata apo në mëngjes herët e i gjen zgjuar, lum ata! Por dijeni këtë: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë do të vinte vjedhësi, nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. Jini gati, se nuk e dini orën kur do të vijë Biri i njeriut».
Pjetri i tha: «Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua për ne apo për të gjithë?». Atëherë Zoti i tha: «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? Lum ai shërbëtor që, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. Por nëse ai shërbëtor thotë me vete: “Zotëria im po vonon të vijë” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë, burra e gra, të hajë e të pijë e të dehet, atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret dhe në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen të pafetë. Ai shërbëtor që e di se çfarë dëshiron i zoti, por nuk është gati të veprojë sipas dëshirës së të zotit, do të marrë shumë të rrahura. Por ai që nuk e dinte dhe bëri gjëra për të cilat meriton të rrihet, do të rrihet më pak.
Kujt i është dhënë shumë, do t'i kërkohet shumë. Kujt i është besuar shumë, do t'i kërkohet edhe më shumë».
«Unë erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa shumë dëshiroj të ndizet! Kam një pagëzim me të cilin do të pagëzohem e me sa padurim e pres të përmbushet. Mos vallë mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo paqe, po ju them, por përçarje. Që tani e tutje nëse në një shtëpi do të jenë pesë veta, do të ndahen tre kundër dyve e dy kundër treve. Do të ndahen
ati nga i biri
dhe biri nga i ati,
nëna nga e bija
dhe bija nga e ëma,
vjehrra nga nusja
dhe nusja nga e vjehrra».
Pastaj u tha turmave: «Kur shihni renë që ngrihet në perëndim, ju menjëherë thoni se do të bjerë shi e kështu ndodh. Kur shihni se po fryn juga, ju thoni se do të bëjë i nxehtë i madh e kështu ndodh. Hipokritë! Dukuritë e tokës e të qiellit dini t'i shpjegoni, po si nuk ditkeni të dalloni kohën e tanishme?».
«Pse nuk gjykoni vetë se ç'është e drejtë? Nëse je rrugës për te gjykatësi bashkë me kundërshtarin tënd, përpiqu të merresh vesh me të rrugës, që kur të dalësh para gjykatësit, ai mos të të dorëzojë te roja e pastaj roja të të fusë në burg. Unë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».