Ndërsa turmat po shtoheshin, Jezui filloi të thoshte: «Kjo brezni është e mbrapshtë. Ajo kërkon një shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait. Sikurse Jonai u bë shenjë për popullin e Ninivës, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut për këtë brezni. Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në ditën e gjykimit bashkë me njerëzit e kësaj breznie e do t'i dënojë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni. Njerëzit e Ninivës do të ngjallen në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë, sepse ata u penduan kur predikoi Jonai. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai».
«Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë në një vend të fshehtë apo nën magje. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. Drita e trupit është syri. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por nëse syri yt është i sëmurë, trupi yt do të jetë në errësirë. Prandaj ki kujdes që drita që është në ty të mos jetë errësirë. Nëse, pra, tërë trupi yt është plot me dritë e pa asnjë pjesë në errësirë, gjithçka do të jetë e shndritshme, siç është kur një kandil shndrit me tërë shkëlqimin e tij».
Ndërsa Jezui po fliste, një farise e ftoi për të ngrënë në shtëpinë e tij. Jezui shkoi e u ul në tryezë. Fariseu u çudit kur pa se Jezui nuk bëri ritin e larjes para se të hante. Atëherë Zoti i tha: «Tani, ju farisenjtë pastroni pjesën e jashtme të kupës e të pjatës, por përbrenda jeni plot grykësi e ligësi. Të marrë! Ai që bëri pjesën e jashtme, a nuk bëri edhe të brendshmen? Prandaj, jepni lëmoshë me gjërat e brendshme e kështu do të keni të pastër gjithçka. Por, mjerë ju, farisenj! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por lini pas dore drejtësinë e dashurinë e Perëndisë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. Mjerë ju, farisenj, që ju pëlqen të zini vendet e para nëpër sinagoga e të merrni përshëndetje nëpër sheshe! Mjerë ju, që jeni si varre pa shenjë, që njerëzit i shkelin pa e ditur».
Njëri nga mësuesit e ligjit iu përgjigj: «Mësues, ti na fyen edhe ne duke thënë këto gjëra». Por Jezui i tha: «Mjerë edhe ju, mësues të ligjit, sepse i ngarkoni njerëzit me barrë të rënda, por vetë nuk lëvizni as gishtin për t'i mbajtur! Mjerë ju, se ndërtoni varret e profetëve që etërit tuaj i vranë! Kështu dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj, sepse ata i vranë profetët, ndërsa ju u ndërtoni varret. Prandaj edhe Perëndia në urtinë e tij ka thënë: “Unë do t'u dërgoj profetë e apostuj, por ata do t'i vrasin e disa do t'i përndjekin”, që kjo brezni të fajësohet për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga themelimi i botës, që nga gjaku i Abelit, te gjaku i Zakarisë, që e vranë mes altarit e shenjtërores. Po, po ju them, se për këtë gjë do të fajësohet kjo brezni. Mjerë ju, mësues të ligjit, se e keni marrë për vete çelësin e dijes! Kështu, as vetë nuk hytë, por penguat edhe të tjerët të hyjnë».
Kur Jezui doli, shkruesit dhe farisenjtë filluan të zemëroheshin e ta sulmonin me lloj-lloj pyetjesh, duke i ngritur kurth që ta kapnin për ndonjë gjë që do të thoshte.