Jezui po lutej në një vend. Kur mbaroi, njëri nga dishepujt i tha: «Zot, na mëso të lutemi, sikurse Gjoni i mësoi dishepujt e vet». Ai u tha: «Kur të luteni thoni:
Atë, u shenjtëroftë emri yt,
ardhtë mbretëria jote!
Bukën tonë të përditshme
na e jep çdo ditë
e na i fal mëkatet tona,
se edhe ne ua falim detyronjësve tanë.
E mos na vër në sprovë».
Pastaj u tha: «E zëmë se njëri nga ju ka një mik, shkon tek ai në mesnatë e i thotë: “Mik, më jep tri bukë, se më ka ardhur një miku im e nuk kam asgjë për t'i vënë përpara”. E ai përgjigjet nga brenda: “Mos më shqetëso! Tani e kam mbyllur derën dhe kemi rënë në gjumë edhe unë, edhe fëmijët. Nuk mund të çohem për të të dhënë gjë”. Unë po ju them se edhe pse nuk do të çohet për t'i dhënë gjë ngaqë e ka mik, do të çohet për t'i dhënë aq sa ka nevojë të paktën për shkak të këmbënguljes së tij.
Dhe unë po ju them: lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. A ka ndër ju ndonjë atë që do t'i jepte fëmijës së vet, që i kërkon peshk, gjarpër në vend të peshkut? Ose, nëse fëmija i lyp vezë, do t'i jepte një akrep? Nëse ju që jeni të këqij, dini t'u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj do t'ua japë prej qiellit Shpirtin e shenjtë atyre që ia kërkojnë!».
Jezui po dëbonte një djall, i cili ishte memec. Kur u dëbua djalli, memeci foli e turmat u mrekulluan. Por disa prej tyre thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve».
Të tjerë, për ta vënë në provë, i kërkonin një shenjë nga qielli. Por Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe shtëpitë e saj shemben njëra pas tjetrës. Nëse edhe Satani është i përçarë, si mund të qëndrojë mbretëria e tij meqë ju po thoni se unë i dëbuakam djajtë me fuqinë e Beelzebulit? Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me fuqinë e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Për këtë arsye ata do të jenë gjykatësit tuaj. Por nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.
Kur një njeri i fortë dhe i armatosur mirë e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është e sigurt. Por nëse dikush më i fortë se ai e sulmon dhe e mund, ia merr armët te të cilat kishte varur shpresën e u shpërndan të tjerëve ato që ka plaçkitur.
Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan».
«Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë duke kërkuar prehje e kur nuk gjen, thotë: “Po kthehem te shtëpia ime prej nga dola”. Kur vjen, e gjen të pastruar e të zbukuruar. Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja».
Ndërsa po thoshte këto gjëra, një grua nga turma ngriti zërin e i tha: «Lum barku që të ka mbajtur dhe gjinjtë që të kanë mëkuar!». Por Jezui i tha: «Më mirë, lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!».