Në ditët kur Herodi ishte mbreti i Judesë, një prift me emrin Zakari, nga kasta e Abiut, kishte për grua njërën prej bijave nga fisi i Aronit. Ajo quhej Elizabetë. Që të dy ishin të drejtë para Perëndisë dhe jetonin pa të metë, sipas të gjitha ligjeve e urdhërimeve të Zotit. Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte shterpë e të dy ishin të shkuar në moshë.
Ndërsa Zakaria po kryente shërbesën e tij priftërore, para Perëndisë, kur ishte radha e kastës së tij, sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hynte në shenjtëroren e Zotit për të djegur temjanin. Ndërsa digjej temjani, tërë populli lutej përjashta. Zakarisë iu shfaq engjëlli i Zotit, i cili rrinte në të djathtë të altarit të temjanit. Kur e pa, Zakaria u trondit dhe e pushtoi frika. Por engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Zakari, se lutja jote është dëgjuar dhe Elizabeta, gruaja jote, do të të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Gjon. Do të gëzohesh e do të ngazëllehesh dhe shumë veta do t'i gëzohen lindjes së tij. Ai do të jetë i madh para Zotit dhe nuk do të pijë verë e as pije dehëse. Do të jetë i mbushur me Shpirtin e shenjtë që në bark të nënës. Shumë bij të Izraelit do t'i kthejë te Zoti, Perëndia i tyre. Do të vijë përpara Zotit me shpirtin dhe fuqinë e Elisë, për t'i kthyer zemrat e etërve drejt bijve dhe kryeneçët në urtinë e të drejtëve, për t'i bërë gati Zotit një popull të përgatitur». Zakaria i tha engjëllit: «Si do ta marr vesh këtë gjë? Se unë jam i vjetër dhe gruaja ime e moshuar». Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli, që rri në praninë e Perëndisë, dhe jam dërguar për të folur me ty e për të të dhënë këtë lajm të mirë. Ja, ti do të mbetesh memec e nuk do të mund të flasësh deri ditën kur do të ndodhin këto gjëra, se nuk u ke besuar fjalëve të mia, që do të përmbushen kur t'u vijë koha».
Populli priste Zakarinë e ishte i habitur për vonesën e tij në tempull. Por kur doli, ai nuk mundi t'u fliste dhe ata e kuptuan se kishte parë një vegim në tempull. U bënte shenja e nuk fliste dot. Kur u mbushën ditët e shërbesës së tij, Zakaria u kthye në shtëpi. Pas këtyre ditëve, Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë dhe për pesë muaj rrinte fshehur e thoshte: «Kështu bëri për mua Zoti në ditët kur hodhi sytë mbi mua, për të më hequr turpin para njerëzve».