Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 1:26-55

Luka 1:26-55 AL1

Në muajin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë me emrin Nazaret, te një virgjëreshë që ishte e fejuar me një burrë që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit. Virgjëresha quhej Mari. Engjëlli shkoi tek ajo e i tha: «Gëzohu, hirplotë, Zoti është me ty». Ajo u trondit nga këto fjalë dhe mendonte për domethënien e kësaj përshëndetjeje. Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë e do t'ia vësh emrin Jezu. Ai do të jetë i madh e do të quhet Bir i të Tejlartit dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij. Ai do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përgjithmonë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim». Por Maria i tha engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, se unë nuk njoh burrë?». Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e të Tejlartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë. Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t'i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë. Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur». Atëherë Maria tha: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj. Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në bark. Elizabeta u mbush me Shpirtin e shenjtë, thirri me zë të lartë e tha: «E bekuar je ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! Nga më vjen kjo dhuratë, që nëna e Zotit të vijë tek unë? Ja, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja kërceu nga gëzimi në barkun tim. Lum ajo që ka besuar, se do të përmbushet çfarë i qe thënë prej Zotit!». Maria tha: «Gjithë qenia ime e madhëron Zotin dhe shpirti im ngazëllehet për Perëndinë, shpëtimtarin tim, sepse ai hodhi sytë mbi përulësinë e shërbëtores së vet dhe, ja, të gjitha breznitë do të më quajnë të lume. Gjëra të mëdha ka bërë për mua i fuqishmi. I shenjtë është emri i tij. Mëshira e tij zgjat nga breznia në brezni për ata që e druajnë. Bëri vepra të fuqishme me krahun e tij, hodhi poshtë ata që mburreshin me mendimet e zemrës së tyre, rrëzoi të fuqishmit nga froni dhe lartësoi të përulurit. Të uriturit i mbushi me të mira, ndërsa të pasurit i nisi duarzbrazët. E ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke sjellë ndër mend mëshirën, siç u kishte thënë etërve tanë, Abrahamit, dhe pasardhësve të tij përgjithmonë».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë