Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 1

1
Hyrja
1Përderisa shumë veta kanë marrë përsipër të rrëfejnë ngjarjet që janë përmbushur ndër ne, 2siç na i kanë përçuar ata që i panë me sytë e tyre dhe që qenë shërbëtorë të fjalës që nga fillimi, 3edhe mua, meqë kam ndjekur me kujdes nga afër gjithçka që nga fillimi, më është dukur gjë e mirë të t'i shkruaj me radhë, i përndritshëm Teofil, 4me qëllim që të njohësh palëkundshmërinë e mësimeve që ke marrë.
Paralajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzorit
5Në ditët kur Herodi ishte mbreti i Judesë, një prift me emrin Zakari, nga kasta e Abiut, kishte për grua njërën prej bijave nga fisi i Aronit. Ajo quhej Elizabetë. 6Që të dy ishin të drejtë para Perëndisë dhe jetonin pa të metë, sipas të gjitha ligjeve e urdhërimeve të Zotit. 7Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte shterpë e të dy ishin të shkuar në moshë.
8Ndërsa Zakaria po kryente shërbesën e tij priftërore, para Perëndisë, kur ishte radha e kastës së tij, 9sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hynte në shenjtëroren e Zotit për të djegur temjanin. 10Ndërsa digjej temjani, tërë populli lutej përjashta. 11Zakarisë iu shfaq engjëlli i Zotit, i cili rrinte në të djathtë të altarit të temjanit. 12Kur e pa, Zakaria u trondit dhe e pushtoi frika. 13Por engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Zakari, se lutja jote është dëgjuar dhe Elizabeta, gruaja jote, do të të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Gjon. 14Do të gëzohesh e do të ngazëllehesh dhe shumë veta do t'i gëzohen lindjes së tij. 15Ai do të jetë i madh para Zotit dhe nuk do të pijë verë e as pije dehëse. Do të jetë i mbushur me Shpirtin e shenjtë që në bark të nënës. 16Shumë bij të Izraelit do t'i kthejë te Zoti, Perëndia i tyre. 17Do të vijë përpara Zotit me shpirtin dhe fuqinë e Elisë, për t'i kthyer zemrat e etërve drejt bijve dhe kryeneçët në urtinë e të drejtëve, për t'i bërë gati Zotit një popull të përgatitur». 18Zakaria i tha engjëllit: «Si do ta marr vesh këtë gjë? Se unë jam i vjetër dhe gruaja ime e moshuar». 19Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli, që rri në praninë e Perëndisë, dhe jam dërguar për të folur me ty e për të të dhënë këtë lajm të mirë. 20Ja, ti do të mbetesh memec e nuk do të mund të flasësh deri ditën kur do të ndodhin këto gjëra, se nuk u ke besuar fjalëve të mia, që do të përmbushen kur t'u vijë koha».
21Populli priste Zakarinë e ishte i habitur për vonesën e tij në tempull. 22Por kur doli, ai nuk mundi t'u fliste dhe ata e kuptuan se kishte parë një vegim në tempull. U bënte shenja e nuk fliste dot. 23Kur u mbushën ditët e shërbesës së tij, Zakaria u kthye në shtëpi. 24Pas këtyre ditëve, Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë dhe për pesë muaj rrinte fshehur e thoshte: 25«Kështu bëri për mua Zoti në ditët kur hodhi sytë mbi mua, për të më hequr turpin para njerëzve».
Paralajmërimi i lindjes së Jezuit
26Në muajin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë me emrin Nazaret, 27te një virgjëreshë që ishte e fejuar me një burrë që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit. Virgjëresha quhej Mari. 28Engjëlli shkoi tek ajo e i tha: «Gëzohu, hirplotë, Zoti është me ty#1.28 dorëshk. të tjera edhe: e bekuar je ti ndër gratë». 29Ajo u trondit nga këto fjalë dhe mendonte për domethënien e kësaj përshëndetjeje. 30Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. 31Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë e do t'ia vësh emrin Jezu. 32Ai do të jetë i madh e do të quhet Bir i të Tejlartit dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij. 33Ai do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përgjithmonë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim». 34Por Maria i tha engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, se unë nuk njoh burrë?». 35Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e të Tejlartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë. 36Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t'i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë. 37Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur». 38Atëherë Maria tha: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj.
Maria te Elizabeta
39Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë. 40Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. 41Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në bark. Elizabeta u mbush me Shpirtin e shenjtë, 42thirri me zë të lartë e tha: «E bekuar je ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! 43Nga më vjen kjo dhuratë, që nëna e Zotit të vijë tek unë? 44Ja, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja kërceu nga gëzimi në barkun tim. 45Lum ajo që ka besuar, se do të përmbushet çfarë i qe thënë prej Zotit!». 46Maria tha:
«Gjithë qenia ime e madhëron Zotin
47dhe shpirti im ngazëllehet
për Perëndinë, shpëtimtarin tim,
48sepse ai hodhi sytë
mbi përulësinë e shërbëtores së vet
dhe, ja, të gjitha breznitë
do të më quajnë të lume.
49Gjëra të mëdha
ka bërë për mua i fuqishmi.
I shenjtë është emri i tij.
50Mëshira e tij zgjat nga
breznia në brezni
për ata që e druajnë.
51Bëri vepra të fuqishme me krahun e tij,
hodhi poshtë ata që mburreshin
me mendimet e zemrës së tyre,
52rrëzoi të fuqishmit nga froni
dhe lartësoi të përulurit.
53Të uriturit
i mbushi me të mira,
ndërsa të pasurit
i nisi duarzbrazët.
54E ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet,
duke sjellë ndër mend mëshirën,
55siç u kishte thënë etërve tanë,
Abrahamit,
dhe pasardhësve të tij përgjithmonë».
56Maria ndenji rreth tre muaj me Elizabetën, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.
Lindja e Gjon Pagëzorit
57Elizabetës i erdhi koha për të lindur dhe lindi djalë. 58Fqinjët dhe farefisi i saj dëgjuan se Zoti tregoi mëshirë të madhe për Elizabetën dhe gëzoheshin bashkë me të. 59Ditën e tetë erdhën për të rrethprerë fëmijën e donin t'i vinin emrin Zakari, sipas emrit të të atit. 60Por e ëma tha: «Jo, do të quhet Gjon». 61Ata i thanë: «Askush nga të afërmit tuaj nuk quhet me këtë emër». 62Atëherë e pyetën të atin me shenja se ç'emër donte t'i vinte. 63Ai kërkoi një dërrasë, mbi të cilën shkroi: «Gjon është emri i tij». Të gjithë u mrekulluan. 64Përnjëherë Zakarisë iu hap goja e iu zgjidh gjuha dhe filloi të fliste duke bekuar Perëndinë. 65Të gjithë banorët aty pranë i zuri frika dhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto gjëra. 66Ata që i dëgjuan këto gjëra i mbajtën në zemër e thanë: «Ç'do të bëhet vallë ky djalë?». Dhe dora e Zotit ishte me të.
Profecia e Zakarisë
67Zakaria, ati i tij, u mbush me Shpirtin e shenjtë e profetizoi kështu:
68«Bekuar qoftë Zoti,
Perëndia i Izraelit,
se erdhi dhe shpengoi popullin e tij.
69Ai ngriti për ne bririn e shpëtimit
në shtëpinë e Davidit,
shërbëtorit të vet,
70siç e kishte thënë
me gojën e profetëve të tij të shenjtë
që prej shekujsh;
71shpëtim nga armiqtë tanë
dhe nga dora e të gjithëve atyre
që na urrejnë,
72për të treguar mëshirë me etërit tanë
e për t'u kujtuar
për besëlidhjen e tij të shenjtë;
73për betimin që i bëri Abrahamit,
atit tonë,
për të na lejuar
74që, pasi të na çlironte
nga duart e armiqve tanë,
t'i shërbenim pa frikë,
75në shenjtëri e në drejtësi para tij
për të gjitha ditët e jetës sonë.
76Dhe ti, foshnjë,
do të quhesh profet i të Tejlartit,
se do të ecësh përpara Zotit
për të përgatitur udhët e tij,
77për t'i dhënë popullit të tij
njohjen e shpëtimit
me anë të faljes së mëkateve,
78falë dhembshurisë së mëshirshme
të Perëndisë tonë,
me të cilën
do të na vijë së larti agimi,
79që shndrit mbi ata që rrinë
në errësirë
e në hijen e vdekjes
dhe për të drejtuar
hapat tanë
në udhën e paqes».
80Fëmija rritej, forcohej shpirtërisht e rrinte shkretëtirave gjer në ditën kur do t'i dëftohej Izraelit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Luka 1: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

Video for Luka 1