Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Levitiku 9

9
Flitë për shërbesën priftërore
1Ditën e tetë Moisiu thirri Aronin, bijtë e tij dhe pleqtë e Izraelit. 2Atëherë i tha Aronit: «Merr një viç për fli mëkati dhe një dash për fli shkrumbimi dhe paraqiti para Zotit. Të dy të jenë të patëmetë. 3Izraelitëve thuaju kështu: merrni një cjap për fli mëkati, një viç e një qengj motak të patëmetë për fli shkrumbimi, 4një dem e një dash për fli paqtimi, që t'i kushtoni para Zotit. Merrni edhe fli drithi përzier me vaj, sepse sot do t'ju dëftohet Zoti».
5Ata morën çka u kishte urdhëruar Moisiu e i sollën para tendës së takimit. U afrua edhe gjithë bashkësia dhe qëndronte para Zotit. 6Moisiu u tha: «Ky është urdhri që dha Zoti. Zbatojeni dhe do t'ju dëftohet lavdia e tij». 7Aronit i tha: «Afrohu tek altari, kushto flinë tënde të mëkatit dhe flinë tënde të shkrumbimit dhe bëj shlyerjen për vete e për popullin. Kushto flinë e popullit dhe bëj për ta shlyerjen, siç ka urdhëruar Zoti».
8Aroni u afrua tek altari dhe theri viçin për flinë e vet të mëkatit. 9Pastaj bijtë e vet i sollën Aronit gjakun. Ai ngjeu në të gishtin dhe leu me gjak brirët e altarit, ndërsa gjakun e derdhi në themelet e altarit. 10Dhjamin, veshkat dhe bulën e mëlçisë së flisë për mëkatin i dogji mbi altar, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 11Mishin dhe lëkurën i dogji në zjarr jashtë fushimit.
12Mandej theri flinë e shkrumbimit. Bijtë e vet i sollën Aronit gjakun dhe ai e spërkati rreth altarit. 13Pastaj i sollën flinë e shkrumbimit të ndarë në copa bashkë me kokën dhe ai i shkrumboi mbi altar. 14Lau edhe zorrët bashkë me këmbët e i dogji në altar mbi flinë e shkrumbimit.
15Mandej paraqiti flinë e popullit. Mori cjapin e flisë së mëkatit të popullit, e theri dhe e kushtoi si fli mëkati, siç kishte bërë edhe me flinë e parë. 16Paraqiti edhe flinë e shkrumbimit dhe e kushtoi sipas urdhëresës. 17Pastaj paraqiti flinë e drithit. Mbushi grushtin me të dhe e dogji në altar, përveç flisë mëngjesore të shkrumbimit. 18Pastaj theri demin e dashin si fli paqtimi për popullin. Të bijtë i sollën Aronit gjakun dhe ai e spërkati rreth altarit. 19Dhjamin e demit dhe të dashit, bishtin e dhjamosur, dhjamin që mbulon zorrët, veshkat dhe bulën e mëlçisë 20i vendosi mbi gjokset e flive dhe i dogji në altar. 21Gjoksin dhe kofshën e djathtë Aroni i ngriti para Zotit si fli lartësimi, siç kishte urdhëruar Moisiu.
22Atëherë Aroni ngriti duart mbi popullin dhe e bekoi. Pasi kushtoi flinë për mëkatin, flinë e shkrumbimit dhe flinë e paqtimit, Aroni zbriti nga altari. 23Mandej, Moisiu e Aroni hynë në tendën e takimit, dolën dhe bekuan popullin. Mbarë popullit iu dëftua lavdia e Zotit. 24Prej pranisë së Zotit doli një zjarr që përpiu flinë e shkrumbimit dhe dhjamin që ishin mbi altar. Mbarë populli e pa, brohoriti dhe u përkul me fytyrë përdhe.

Aktualisht i përzgjedhur:

Levitiku 9: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë