Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozuehu 6:17-25

Jozuehu 6:17-25 AL1

Qyteti e gjithçka brenda tij është e mallkuar e do të shfaroset për nder të ZOTIT. Vetëm lavirja Rahabë dhe të gjithë ata që do të gjenden me të në shtëpi do të mbeten gjallë, sepse ajo fshehu lajmëtarët që patëm dërguar. Por, ruhuni se mos merrni ndonjë nga sendet e mallkuara, se po t'i merrni, do ta sillni mallkimin e shfarosjes brenda fushimit të Izraelit e do t'ju zërë fatkeqësia. I gjithë argjendi, ari, sendet prej bronzi e prej hekuri do të shenjtërohen për ZOTIN e do të hyjnë në thesarin e ZOTIT». Atëherë populli lëshoi kushtrimin dhe boritë jehuan. Kur u dëgjua tingulli i borisë, populli lëshoi një britmë aq të madhe, saqë muret e qytetit u shembën. Të gjithë u vërsulën nga çdo anë drejt qytetit dhe e pushtuan. Izraelitët shfarosën me shpatë gjithçka që gjendej në qytet, burra, gra, të rinj, pleq, qe, dele e gomarë. Jozuehu u tha dy burrave që ishin dërguar për të përgjuar vendin: «Shkoni te shtëpia e lavires e nxirreni prej atje, atë e gjithçka i përket asaj, ashtu siç iu betuat». Dy djaloshët, që ishin dërguar për të vëzhguar, shkuan dhe e nxorën Rahabën prej atje bashkë me të atin, të ëmën, vëllezërit e gjithçka i përkiste. I nxorën të gjithë të afërmit e saj dhe i vendosën jashtë fushimit të Izraelit. Qytetin e gjithçka brenda tij e dogjën në zjarr, ndërsa argjendin, arin, sendet prej bronzi e prej hekuri i vunë në thesarin e shtëpisë së ZOTIT. Jozuehu e la gjallë laviren Rahabë me gjithë shtëpinë e atit të saj dhe ajo jeton mes izraelitëve deri në ditët e sotme, për shkak se kishte fshehur dy burrat që ishin dërguar për të përgjuar Jerikonë.