Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozuehu 6

6
Pushtimi i Jerikosë
1Jerikoja ishte fortifikuar dhe i kishte mbyllur portat për shkak të izraelitëve. Askush nuk hynte e askush nuk dilte nga qyteti. 2Atëherë Zoti i tha Jozuehut: «Ja, Jerikonë po ta dorëzoj ty, me gjithë mbretin e luftëtarët e saj. 3Të gjithë ju do të marshoni përreth qytetit një herë në ditë. Kështu do të bëni për gjashtë ditë. 4Shtatë priftërinj do të shkojnë përpara arkës, duke mbajtur shtatë bori prej briri dashi. Ditën e shtatë do të marshoni shtatë herë rreth qytetit dhe priftërinjtë do t'u bien borive. 5Kur të tingëllojë briri i dashit, sapo të dëgjohet tingulli i borisë, i gjithë populli të lëshojë një britmë të madhe. Muret e qytetit do të shemben dhe populli do të vërsulet nga çdo anë drejt qytetit». 6Jozuehu, biri i Nunit, thirri priftërinjtë e u tha: «Ngrijeni arkën e besëlidhjes. Shtatë priftërinj të marrin shtatë bori prej briri dashi e të kalojnë para arkës së Zotit». 7Popullit i tha: «Nisuni e marshoni përreth qytetit. Luftëtarët e armatosur të kalojnë para arkës së Zotit».
8Pasi Jozuehu i kishte dhënë udhëzimet popullit, shtatë priftërinjtë me shtatë boritë prej briri dashi dolën përpara Zotit e filluan t'u binin borive. Nga pas i ndiqte arka e besëlidhjes së Zotit. 9Luftëtarët e armatosur ecnin përpara priftërinjve, që u binin borive, ndërsa praparoja vinte pas arkës. Teksa ecnin, jehonte tingulli i borive. 10Ndërsa popullit Jozuehu i dha këtë urdhër: «Mos bërtitni e mos t'ju dëgjohet zëri. Mos nxirrni asnjë fjalë nga goja, deri ditën që do t'ju them unë të bërtitni. Vetëm atëherë do të bërtitni». 11Kështu, arka e Zotit u soll një herë rreth qytetit. Pastaj izraelitët u kthyen në fushim për të kaluar natën.
12Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe priftërinjtë morën arkën e Zotit. 13Shtatë priftërinjtë, që mbanin shtatë boritë prej briri dashi, ecnin përpara arkës së Zotit e u binin borive. Luftëtarët e armatosur ecnin përpara tyre, ndërsa praparoja ecte pas arkës së Zotit. Gjatë marshimit, priftërinjtë u binin borive. 14Edhe ditën e dytë izraelitët marshuan një herë përreth qytetit dhe pastaj u kthyen në fushim. Kështu bënë për gjashtë ditë.
15Ditën e shtatë u ngritën herët në mëngjes dhe marshuan shtatë herë përreth qytetit në të njëjtën mënyrë. Vetëm atë ditë marshuan shtatë herë përreth qytetit. 16Herën e shtatë, kur priftërinjtë u ranë borive, Jozuehu i tha popullit: «Lëshoni kushtrimin! Zoti jua ka dhënë juve qytetin. 17Qyteti e gjithçka brenda tij është e mallkuar e do të shfaroset për nder të Zotit. Vetëm lavirja Rahabë dhe të gjithë ata që do të gjenden me të në shtëpi do të mbeten gjallë, sepse ajo fshehu lajmëtarët që patëm dërguar. 18Por, ruhuni se mos merrni ndonjë nga sendet e mallkuara, se po t'i merrni, do ta sillni mallkimin e shfarosjes brenda fushimit të Izraelit e do t'ju zërë fatkeqësia. 19I gjithë argjendi, ari, sendet prej bronzi e prej hekuri do të shenjtërohen për Zotin e do të hyjnë në thesarin e Zotit». 20Atëherë populli lëshoi kushtrimin dhe boritë jehuan. Kur u dëgjua tingulli i borisë, populli lëshoi një britmë aq të madhe, saqë muret e qytetit u shembën. Të gjithë u vërsulën nga çdo anë drejt qytetit dhe e pushtuan. 21Izraelitët shfarosën me shpatë gjithçka që gjendej në qytet, burra, gra, të rinj, pleq, qe, dele e gomarë.
22Jozuehu u tha dy burrave që ishin dërguar për të përgjuar vendin: «Shkoni te shtëpia e lavires e nxirreni prej atje, atë e gjithçka i përket asaj, ashtu siç iu betuat». 23Dy djaloshët, që ishin dërguar për të vëzhguar, shkuan dhe e nxorën Rahabën prej atje bashkë me të atin, të ëmën, vëllezërit e gjithçka i përkiste. I nxorën të gjithë të afërmit e saj dhe i vendosën jashtë fushimit të Izraelit. 24Qytetin e gjithçka brenda tij e dogjën në zjarr, ndërsa argjendin, arin, sendet prej bronzi e prej hekuri i vunë në thesarin e shtëpisë së Zotit. 25Jozuehu e la gjallë laviren Rahabë me gjithë shtëpinë e atit të saj dhe ajo jeton mes izraelitëve deri në ditët e sotme, për shkak se kishte fshehur dy burrat që ishin dërguar për të përgjuar Jerikonë.
26Atëherë Jozuehu shpalli këtë nëmë: «Mallkuar qoftë para Zotit kush ngrihet për ta rindërtuar këtë qytet, Jerikonë! Themelet i hedhtë mbi të parëlindurin, portat mbi djalin e vogël i lartoftë!».
27 Zoti ishte me Jozuehun dhe emri i tij u bë i njohur në mbarë vendin.

Aktualisht i përzgjedhur:

Jozuehu 6: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë