Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozuehu 5:1-9

Jozuehu 5:1-9 AL1

Kur dëgjuan mbarë mbretërit e amoritëve, që jetonin në bregun perëndimor të Jordanit, bashkë me mbarë mbretërit e kananitëve, që jetonin pranë detit, se ZOTI i kishte tharë ujërat e Jordanit, derisa kishin kaluar izraelitët, i lëshoi zemra e mbetën pa frymë nga frika e izraelitëve. Në atë kohë ZOTI i tha Jozuehut: «Bëj thika prej gurit të strallit e fillo të rrethpresësh përsëri bijtë e Izraelit». Jozuehu bëri thika prej gurit të strallit e i rrethpreu bijtë e Izraelit në kodrinën e Haralotit. I rrethpreu, sepse të gjithë meshkujt e popullit që doli nga Egjipti, të gjithë luftëtarët, kishin vdekur gjatë udhëtimit nëpër shkretëtirë, pas daljes nga Egjipti. Ata kishin qenë të gjithë të rrethprerë, ndërsa djemtë, që kishin lindur gjatë udhëtimit në shkretëtirë pas daljes nga Egjipti, nuk ishin rrethprerë. Izraelitët kishin udhëtuar dyzet vjet nëpër shkretëtirë, derisa kishin vdekur të gjithë luftëtarët që kishin dalë nga Egjipti, për shkak se nuk i ishin bindur urdhrit të ZOTIT. Prandaj edhe ZOTI u qe betuar se nuk kishin për ta parë tokën që u kishte premtuar etërve të tyre për ne, tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë. Në vendin e tyre ai vuri bijtë e tyre. Këta i rrethpreu Jozuehu, se ishin të parrethprerë, ngaqë nuk ishin rrethprerë gjatë udhës. Pasi u rrethpre i gjithë populli, izraelitët qëndruan në fushim derisa u shëruan. Atëherë ZOTI i tha Jozuehut: «Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit». Ai vend quhet Gilgal deri në ditën e sotme.