Jozuehu i mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Shekem dhe i thirri pleqtë e Izraelit, prijësit, gjykatësit dhe krerët të paraqiteshin para Perëndisë. Atëherë Jozuehu i tha mbarë popullit: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Në kohët e shkuara paraardhësit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, jetonin përtej lumit të Eufratit dhe u shërbenin perëndive të tjerë. Por unë e mora Abrahamin nga përtej lumit dhe i priva nëpër tërë vendin e Kanaanit. Ia shtova pasardhësit dhe i dhashë Isakun. Isakut i dhashë Esaun. Esaut i dhashë për pronë malin e Seirit, ndërsa Jakobi dhe bijtë e tij shkuan në Egjipt. Pastaj dërgova Moisiun e Aronin, godita Egjiptin me mrekullitë që bëra atje dhe ju nxora prej andej. Kur dolën nga Egjipti, etërit tuaj mbërritën te deti i Kuq, por egjiptianët i ndoqën deri atje me karroca dhe me kuaj. Ata i thirrën për ndihmë ZOTIT dhe ai vuri terrin midis tyre dhe egjiptianëve. Pastaj hodhi mbi egjiptianët detin dhe deti i mbuloi. Ju e patë me sytë tuaj çfarë bëra në Egjipt. Mandej jetuat për një kohë të gjatë në shkretëtirë. Pastaj ju solla në tokën e amoritëve, që banonin përtej Jordanit. Ata luftuan kundër jush, por unë jua dorëzova juve dhe i shfarosa para jush. Tokën e tyre e morët ju. Edhe Balaku, biri i Ciporit dhe mbreti i Moabit, doli të luftojë kundër Izraelit. Ai thirri Balaamin, birin e Beorit, që t'ju mallkonte. Por unë nuk desha ta dëgjoja Balaamin, prandaj ai ju bekoi dhe unë ju shpëtova prej dorës së tij. Si e kaluat Jordanin, mbërritët në Jeriko. Banorët e Jerikosë, amoritët, perizitët, kananitët, hititët, girgashitët, hivitët dhe jebusitët, luftuan kundër jush, por unë jua dorëzova juve. Lëshova grerëzat para jush dhe me to dëbova nga ju dy mbretërit e amoritëve pa shpatën apo harkun tuaj. Ju dhashë një tokë që nuk e kishit punuar ju dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar ju, por ju banoni në to. Vreshtat dhe ullinjtë nuk i mbollët ju, por po hani prej tyre”.
Tani, pra, druajeni ZOTIN dhe shërbejini atij me përsosmëri dhe me besnikëri. Hidhni tej perënditë që kanë adhuruar paraardhësit tuaj, kur ishin përtej lumit të Eufratit e në Egjipt, dhe shërbejini ZOTIT. Nëse nuk ju duket gjë e mirë t'i shërbeni ZOTIT, atëherë vendosni sot se kujt doni t'i shërbeni, perëndive që u shërbyen paraardhësit tuaj, kur ishin përtej lumit Eufrat, apo perëndive të amoritëve, në tokën e të cilëve banoni? Sa për mua dhe shtëpinë time, ne do t'i shërbejmë ZOTIT».
Atëherë populli u përgjigj e tha: «Larg qoftë të braktisim ZOTIN e t'u shërbejmë perëndive të tjerë. ZOTI, Perëndia ynë, është ai që na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë dhe ai që bëri shenja të mëdha para syve tanë. Ai na ruajti gjatë gjithë udhës dhe na mbrojti nga të gjithë popujt, nëpër tokat e të cilëve kaluam. Ai i dëboi para nesh të gjithë popujt e në veçanti amoritët, që banojnë në këtë tokë. Prandaj, edhe ne do t'i shërbejmë ZOTIT, sepse ai është Perëndia ynë».
Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Ju nuk do të mund t'i shërbeni ZOTIT, sepse ai është Perëndi i shenjtë e xheloz, prandaj dhe nuk ka për t'i duruar paudhësitë dhe mëkatet tuaja. Nëse e braktisni ZOTIN e u shërbeni perëndive të huaj, ai do të kthehet kundër jush e do t'ju shfarosë, pas gjithë të mirave që ju ka bërë». Populli i tha Jozuehut: «Jo, ne do t'i shërbejmë ZOTIT». Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Ju jeni vetë dëshmitarë se keni vendosur t'i shërbeni ZOTIT». Ata iu përgjigjën: «Jemi dëshmitarë». Jozuehu u tha: «Atëherë, flakni tej të gjitha perënditë që janë mes jush dhe kthejini zemrat drejt ZOTIT, Perëndisë së Izraelit». Dhe populli i tha Jozuehut: «ZOTIT, Perëndisë tonë, do t'i shërbejmë dhe atë do të dëgjojmë». Atë ditë Jozuehu lidhi besën me popullin në Shekem dhe nxori rregulla e vendime, fjalët e të cilave i shënoi në librin e ligjit të Perëndisë. Pastaj mori një gur të madh dhe e vendosi aty, poshtë lisit, pranë shenjtërores së ZOTIT. Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Ja, ky gur do të jetë dëshmi për ju, sepse i dëgjoi të gjitha fjalët që na tha ZOTI. Ky gur do të jetë dëshmi kundër jush, që të mos e mohoni Perëndinë tuaj». Pastaj Jozuehu i la të shkonin secili në pronën e vet.
Pas këtyre ngjarjeve, Jozuehu, biri i Nunit dhe shërbëtori i ZOTIT, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeçare. E varrosën në tokën që kishte trashëguar, në Timnah Serah, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gash.
Izraeli i shërbeu ZOTIT për sa kohë qe gjallë Jozuehu e për sa kohë qenë gjallë pleqtë që jetuan pas Jozuehut, të cilët i dinin të gjitha veprat që kishte bërë ZOTI për Izraelin.
Eshtrat e Jozefit, që izraelitët i kishin sjellë me vete nga Egjipti, i varrosën në Shekem, në arën që Jakobi kishte blerë prej Hamorit, atit të Shekemit, për njëqind copa argjendi dhe që ishte pronë e pasardhësve të Jozefit.
Edhe Eleazari, biri i Aronit, vdiq e u varros në Gibeah, në pronën që i ishte dhënë Finehasit, birit të tij, në krahinën malore të Efraimit.