Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozuehu 10:1-15

Jozuehu 10:1-15 AL1

Adonicedeku, mbreti i Jerusalemit, mori vesh se Jozuehu kishte pushtuar e shkatërruar Ajin dhe se me qytetin e me mbretin e tij kishte vepruar si me Jerikonë e me mbretin e saj. Dëgjoi edhe se banorët e Gibeonit kishin bërë paqe me Izraelin dhe se banonin mes tyre, prandaj e zuri frika, sepse Gibeoni ishte qytet i madh, qytet mbretëror, më i madh se Aji, dhe burrat e tij ishin të fuqishëm. Atëherë Adonicedeku, mbreti i Jerusalemit, i dërgoi lajmëtarë Hohamit, mbretit të Hebronit, Piramit, mbretit të Jarmuthit, Jafiait, mbretit të Lakishit, e Debirit, mbretit të Eglonit, e u tha: «Ejani e më ndihmoni ta shpartallojmë Gibeonin, se ka bërë paqe me Jozuehun e me izraelitët». Pesë mbretërit e amoritëve, mbreti i Jerusalemit, mbreti i Hebronit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit e mbreti i Eglonit, u mblodhën e shkuan për luftë me gjithë ushtritë e tyre. Fushuan përballë Gibeonit dhe e sulmuan. Burrat e Gibeonit i dërguan fjalë Jozuehut në fushimin e Gilgalit e i thanë: «Mos hiq dorë nga shërbëtorët e tu. Eja shpejt të na shpëtosh e të na ndihmosh, se kundër nesh janë bashkuar të gjithë mbretërit e amoritëve që banojnë në malësi». Atëherë Jozuehu u nis menjëherë nga Gilgali bashkë me gjithë luftëtarët e burrat e fuqishëm. ZOTI i tha Jozuehut: «Mos ki frikë prej tyre, se t'i kam dorëzuar ty. Asnjë prej tyre nuk të bën dot ballë». Jozuehu marshoi tërë natën nga Gilgali e i sulmoi në befasi. ZOTI i hutoi amoritët para Izraelit e bëri kërdi të madhe në Gibeon. Izraelitët i ndoqën rrugës që ngjitet në Bet Horon dhe i sulmuan deri në Azekah e Makeda. Teksa amoritët kishin marrë arratinë para Izraelit e po zbrisnin tatëpjetë për në Bet Horon, ZOTI lëshoi mbi ta gurë të mëdhenj nga qielli, deri në Azekah. U vranë më shumë nga breshri i gurëve sesa nga shpata e izraelitëve. Ditën që ZOTI i dorëzoi amoritët në duart e izraelitëve, Jozuehu iu drejtua Zotit në prani të gjithë izraelitëve: «Ndalu, o diell, mbi Gibeonin! Qëndro, o hënë, mbi luginën e Ajalonit! U ndal dielli, qëndroi hëna, derisa populli ndaj armiqve u hakmor». A nuk shkruhet në librin e të Drejtit: dielli u ndal në mes të qiellit e nuk u ngut të perëndonte pothuajse për tërë ditën? Kurrë nuk kishte pasur një ditë si ajo më parë e as nuk pati më. ZOTI dëgjoi zërin e një njeriu, vetë ZOTI luftoi për Izraelin. Pastaj Jozuehu u kthye në fushimin e Gilgalit bashkë me të gjithë izraelitët që ishin me të.