Pas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të ZOTIT, ZOTI foli me Jozuehun, birin e Nunit dhe ndihmësin e Moisiut, e i tha: «Moisiu, shërbëtori im, vdiq. Tani, ngrihu e kalo Jordanin bashkë me gjithë popullin për në tokën që po u jap bijve të Izraelit. Po ju jap çdo vend ku t'ju shkelë shputa e këmbës, ashtu siç i thashë Moisiut. Që nga shkretëtira e nga Libani e deri në lumin e madh Eufrat, gjithë toka e hititëve deri në detin e madh, ku perëndon dielli, do të jetë toka juaj. Askush nuk do të të bëjë ballë sa të jesh gjallë. Do të jem me ty ashtu siç isha edhe me Moisiun dhe nuk do të të lë e as nuk do të të braktis. Ji i fortë e ki guxim, sepse ti do t'ia japësh për trashëgim këtij populli këtë tokë, për të cilën iu betova etërve të tyre se do t'ua jap. Ti veç ji i fortë e ki shumë guxim, që të mbash ligjin që të urdhëroi Moisiu, shërbëtori im, e të bësh gjithçka sipas tij. Mos iu shmang as djathtas e as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Mos e hiq nga goja librin e këtij ligji. Përsiate ditë e natë, që ta mbash e të bësh gjithçka është shkruar në të. Vetëm atëherë do të kesh mbarësi e begati. A nuk të urdhërova të jesh i fortë e të kesh guxim? Mos ki, pra, frikë, sepse ZOTI, Perëndia yt, do të jetë me ty kudo që të shkosh».
Lexo Jozuehu 1
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Jozuehu 1:1-9
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video