Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 1:8-22

Jobi 1:8-22 AL1

ZOTI e pyeti: «A të ka rënë në sy shërbëtori im, Jobi? Askush mbi tokë nuk është si ai, njeri i përkryrer e i drejtë, që druan Perëndinë dhe i kthen shpinën të keqes». Por Satani iu përgjigj: «Mos vallë më kot e druan Jobi Perëndinë? A nuk e ke rrethuar me mburojë atë vetë, shtëpinë e tij dhe gjithçka ka? Ti e ke bekuar punën e duarve të tij dhe pasuria e tij mbi tokë është rritur. Provo e vër dorë mbi gjithçka ka, në s'ka për të të mallkuar haptas». ZOTI i tha Satanit: «Ja, po të lë në dorë gjithçka ka, por atë vetë mos e prek me dorë!». Atëherë Satani u largua nga ZOTI. Një ditë, kur bijtë dhe bijat e Jobit po hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të madh, erdhi te Jobi një lajmëtar e i tha: «Qetë po lëronin dhe gomaricat po kullotnin pranë tyre, kur iu vërsulën shabaitët e i rrëmbyen. Ata i shkuan shërbëtorët në teh të shpatës, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar». Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Zjarri i Perëndisë ra nga qielli dhe dogji delet e përpiu shërbëtorët, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar». Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Kaldenjtë ngritën tri çeta, u lëshuan mbi devetë e i rrëmbyen. Ata i shkuan shërbëtorët në teh të shpatës, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar». Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Bijtë dhe bijat e tua po hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të madh, kur ia behu nga shkretëtira një stuhi e fortë, që u përplas mbi të katër qoshet e shtëpisë, e cila u shemb mbi të rinjtë. Ata vdiqën, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar». Atëherë Jobi u ngrit e shqeu petkat, rruajti kryet e ra përdhe, u përkul e tha: «Cullak dola nga barku i nënës, cullak atje do të kthehem. ZOTI dha e ZOTI mori. Bekuar qoftë emri i ZOTIT!». Me gjithë çka i ndodhi, Jobi nuk mëkatoi e nuk ia vuri fajin Perëndisë.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Jobi 1:8-22