Një ditë, kur bijtë dhe bijat e Jobit po hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të madh, erdhi te Jobi një lajmëtar e i tha: «Qetë po lëronin dhe gomaricat po kullotnin pranë tyre, kur iu vërsulën shabaitët e i rrëmbyen. Ata i shkuan shërbëtorët në teh të shpatës, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar». Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Zjarri i Perëndisë ra nga qielli dhe dogji delet e përpiu shërbëtorët, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar». Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Kaldenjtë ngritën tri çeta, u lëshuan mbi devetë e i rrëmbyen. Ata i shkuan shërbëtorët në teh të shpatës, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar».
Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Bijtë dhe bijat e tua po hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të madh, kur ia behu nga shkretëtira një stuhi e fortë, që u përplas mbi të katër qoshet e shtëpisë, e cila u shemb mbi të rinjtë. Ata vdiqën, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar».
Atëherë Jobi u ngrit e shqeu petkat, rruajti kryet e ra përdhe, u përkul e tha:
«Cullak dola nga barku i nënës,
cullak atje do të kthehem.
ZOTI dha e ZOTI mori.
Bekuar qoftë emri i ZOTIT!».
Me gjithë çka i ndodhi, Jobi nuk mëkatoi e nuk ia vuri fajin Perëndisë.