Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 9:24-41

Gjoni 9:24-41 AL1

Atëherë thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër e i thanë: «Jepi lavdi Perëndisë! Ne e dimë se ai njeri është mëkatar». Ai u përgjigj: «Në është mëkatar apo jo nuk e di. Një gjë di, që isha i verbër e tani shoh». Ata e pyetën: «Çfarë të bëri? Si t'i hapi sytë?». Ai u përgjigj: «Jua thashë një herë e nuk më dëgjuat. Përse doni ta dëgjoni përsëri? Mos doni të bëheni edhe ju dishepuj të tij?». Ata e fyen e i thanë: «Ti je dishepull i tij, ndërsa ne jemi dishepuj të Moisiut. Ne e dimë se Perëndia i ka folur Moisiut, ndërsa për atë nuk e dimë as nga është». Ai u përgjigj: «Është për t'u habitur! Ju nuk e dini nga është e megjithatë ai më hapi sytë. E dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e respekton e që bën vullnetin e tij. Nuk është dëgjuar kurrë që dikush të ketë hapur sytë e dikujt që ka lindur i verbër. Nëse ai nuk do të ishte nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë». Ata i thanë: «Ti ke lindur i tëri në mëkate e do që të na mësosh ne?». Dhe e nxorën jashtë. Kur Jezui mori vesh se e kishin nxjerrë jashtë, e gjeti e i tha: «A beson ti në Birin e njeriut?». Ai u përgjigj: «Kush është, zotëri, që të besoj në të?». Jezui i tha: «Ti e ke parë. Është ai që po flet me ty». «Besoj, o Zot!», i tha ai e ra në gjunjë para tij. Pastaj Jezui tha: «Unë kam ardhur për të bërë gjyq në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin e të verbohen ata që shohin». Disa nga farisenjtë që ishin me të, kur dëgjuan këto fjalë, i thanë: «A mos jemi edhe ne të verbër?». Jezui u tha: «Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat, por tani thoni se shihni, prandaj mëkati juaj mbetet».