Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 9:1-25

Gjoni 9:1-25 AL1

Ndërsa po ecte, Jezui pa një njeri që kishte lindur i verbër. Dishepujt e pyetën: «Mësues, kush ka mëkatuar që ai ka lindur i verbër, ai vetë apo prindërit e tij?». Jezui u përgjigj: «Nuk kanë mëkatuar as ai e as prindërit e tij, por ka lindur i verbër që në të të shfaqen veprat e Perëndisë. Sa është ditë, duhet të bëjmë veprat e atij që më dërgoi. Po vjen nata kur askush nuk mund të veprojë. Për sa kohë të jem në botë, jam drita e botës». Si tha këto, Jezui pështyu në tokë, bëri baltë me pështymë e ia leu sytë me baltë të verbrit. Pastaj i tha: «Shko e lahu te hurdha e Siloamit!», që do të thotë i Dërguari. Ai shkoi, u la dhe kur u kthye, shikonte. Atëherë fqinjët dhe ata që më përpara e kishin parë duke lypur, thoshin: «A nuk është ky ai që rrinte ulur e lypte?». Disa thoshin: «Ai është», ndërsa të tjerë: «Jo, nuk është ai, por i ngjan». Ndërsa ai vetë thoshte: «Unë jam». Atëherë ata e pyetën: «Si t'u hapën sytë?». Ai u përgjigj: «Njeriu që quhet Jezu bëri baltë, m'i leu sytë e më tha: “Shko te hurdha e Siloamit e lahu!”. Unë shkova, u lava e pashë». Ata e pyetën: «Ku është ai njeri?». Ai u përgjigj: «Nuk e di». Atëherë atë që kishte qenë dikur i verbër e çuan te farisenjtë. Dita që Jezui bëri baltën dhe hapi sytë e të verbrit, kishte qenë e shtunë. Farisenjtë e pyetën përsëri sesi e fitoi dritën e syve. Ai u tha: «Më vuri baltë mbi sy, u lava e tani shoh». Disa nga farisenjtë thoshin: «Ai njeri nuk është nga Perëndia, se nuk e respekton të shtunën». Disa të tjerë thoshin: «Si mund të bëjë shenja të tilla një njeri mëkatar?». Dhe u përçanë mes tyre. Ata e pyetën përsëri të verbrin: «Ti çfarë thua për atë që t'i hapi sytë?». Ai u tha: «Është profet». Derisa thirrën prindërit e tij, judenjtë nuk donin të besonin se ai kishte qenë i verbër e tani shihte. Pastaj i pyetën prindërit e tij: «A është ky biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? E si shihka tani?». Prindërit e tij u përgjigjën: «E dimë se ky është biri ynë dhe se ka lindur i verbër, por nuk e dimë sesi sheh tani, as se kush ia hapi sytë. Pyeteni vetë, ai e ka moshën për të folur për veten». Prindërit e tij i thanë këto, se kishin frikë nga judenjtë, të cilët kishin vendosur të përjashtonin nga sinagoga këdo që do të rrëfente se Jezui është Krishti. Prandaj edhe prindërit e tij thanë: «Ai e ka moshën, pyeteni vetë!». Atëherë thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër e i thanë: «Jepi lavdi Perëndisë! Ne e dimë se ai njeri është mëkatar». Ai u përgjigj: «Në është mëkatar apo jo nuk e di. Një gjë di, që isha i verbër e tani shoh».