E di se jeni pasardhës të Abrahamit, por kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju. Unë them ato që kam parë pranë Atit tim, ndërsa ju bëni ato që keni dëgjuar nga ati juaj».
Ata i thanë: «Ati ynë është Abrahami». Jezui u tha: «Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e tij. Tani kërkoni të më vrisni mua, njeriun që ju kam thënë të vërtetën që dëgjova nga Perëndia. Abrahami nuk e bëri këtë. Ju bëni veprat e atit tuaj».
Atëherë judenjtë i thanë: «Ne nuk kemi lindur nga kurvëria. Ne kemi një Atë të vetëm, Perëndinë». Jezui u tha: «Po të ishte Perëndia Ati juaj, do të më donit edhe mua, sepse unë dola nga Perëndia dhe kam ardhur prej tij. Nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai më dërgoi. Përse nuk i kuptoni këto që ju them? Sepse nuk mund ta dëgjoni fjalën time. Ati juaj është djalli e ju doni të bëni vullnetin e atit tuaj. Ai ishte njeri-vrasës që nga fillimi e nuk qëndroi tek e vërteta, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë gënjeshtra, flet nga vetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës. Ndërsa mua që them të vërtetën, nuk më besoni.
Kush nga ju mund ta vërtetojë se kam mëkatuar? Nëse them të vërtetën, përse nuk më besoni? Kush është prej Perëndisë, dëgjon fjalët e Perëndisë. Ju prandaj nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë».
Judenjtë i thanë Jezuit: «A nuk e kemi mirë kur themi se je samaritan e ke djallin?». Jezui u përgjigj: «Unë nuk kam djallin, por nderoj Atin tim, ndërsa ju më poshtëroni. Unë nuk kërkoj lavdinë time. Ka se kush e kërkon e se kush gjykon. Me të vërtetë po ju them se kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shohë vdekjen kurrë».
Atëherë judenjtë i thanë: «Tani e dimë se ke djallin. Abrahami vdiq. Po ashtu edhe profetët, ndërsa ti thua: “Kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shijojë vdekjen kurrë”. A mos je ti më i madh se ati ynë, Abrahami, që ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur. Për kë e mban veten?». Jezui u përgjigj: «Nëse unë përlëvdoj veten time, lavdia ime nuk është asgjë. Ati im, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj, është ai që më përlëvdon. Ju nuk e keni njohur, ndërsa unë e njoh. Po të them se nuk e njoh, do të jem gënjeshtar si ju. Por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij. Ati juaj, Abrahami, u ngazëllua që do të shikonte ditën time. E pa dhe u gëzua». Atëherë judenjtë i thanë: «Nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se, para se të kishte lindur Abrahami, Unë Jam». Ata morën gurë për t'i gjuajtur, por Jezui u fsheh e doli nga tempulli.