Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 8:1-20

Gjoni 8:1-20 AL1

Jezui shkoi në malin e Ullinjve. Në të gdhirë, u kthye përsëri në tempull dhe i gjithë populli shkonte pranë tij. Ai u ul e mësonte njerëzit. Atëherë shkruesit dhe farisenjtë i çuan një grua që ishte kapur duke bërë tradhti bashkëshortore dhe, pasi e vunë në mes, i thanë: «Mësues, kjo grua u kap duke bërë tradhti bashkëshortore. Në ligj Moisiu na ka urdhëruar t'i vrasim me gurë gra të tilla. Po ti, ç'thua?». Këtë e thanë për ta zënë në kurth, që të kishin për çfarë ta padisnin, por Jezui u ul e filloi të shkruante me gisht në tokë. Meqenëse ata po vazhdonin ta pyesnin, ai u ngrit e tha: «Kush është pa mëkat ndër ju le të hedhë i pari gurin mbi të!». Pastaj u ul përsëri e shkruante në tokë. Kur e dëgjuan këtë, ata u larguan njëri pas tjetrit duke filluar nga më të moshuarit. Mbeti vetëm Jezui me gruan që qëndronte në mes. Jezui u ngrit e i tha: «Grua, ku janë paditësit e tu? Askush nuk të dënoi?». Ajo u përgjigj: «Askush, zotëri». Jezui i tha: «Atëherë as unë nuk po të dënoj. Shko e mos mëkato më që tani e tutje!». Atëherë Jezui foli përsëri me ta e u tha: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë kurrë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës». Farisenjtë i thanë: «Ti po dëshmon për veten. Dëshmia jote nuk është e vërtetë». Jezui u përgjigj: «Edhe nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj, ndërsa ju nuk e dini as nga vij e as ku po shkoj. Ju gjykoni sipas dobësisë njerëzore, ndërsa unë nuk gjykoj askënd. Po edhe kur unë gjykoj, gjykimi im është i drejtë, sepse nuk jam vetëm, por jemi unë dhe Ati që më dërgoi. Në ligj shkruhet se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë. Unë dëshmoj për veten time dhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua». Ata i thanë: «Ku është Ati yt?». Jezui u përgjigj: «Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim. Po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim». Ai i tha këto fjalë te vendi i thesarit, teksa mësonte njerëzit në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur ende koha.