Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 7:25-38

Gjoni 7:25-38 AL1

Disa nga Jerusalemi thoshin: «A nuk është ky ai që e kërkojnë për ta vrarë? Ja, ai po flet lirisht e nuk i thonë gjë! A mos kanë pranuar me të vërtetë krerët se ky është Krishti? Por ne e dimë nga është ky, ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë nga është». Atëherë Jezui, ndërsa mësonte njerëzit në tempull, thirri: «Po, mua më njihni dhe e dini nga jam. Megjithatë unë nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe atë ju nuk e njihni. Por unë e njoh atë, sepse vij prej tij dhe ai më dërgoi». Atëherë kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, se nuk i kishte ardhur ende koha. Shumë nga turma besuan në Jezuin e thoshin: «A thua kur të vijë Krishti do të bëjë më shumë shenja se ky?». Farisenjtë dëgjuan se turma pëshpëriste këto gjëra për Jezuin, prandaj, së bashku me kryepriftërinjtë, dërguan roja për ta kapur. Atëherë Jezui u tha: «Edhe për pak kohë jam me ju e pastaj do të shkoj tek ai që më dërgoi. Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni, sepse ju nuk mund të vini atje ku jam unë». Judenjtë pyesnin njëri-tjetrin: «Ku ka ndër mend të shkojë ky, që ne nuk mund ta gjejmë? Mos ka ndër mend të shkojë te judenjtë e shpërndarë mes helenëve e të mësojë helenët? Ç'do të thonë fjalët “do të më kërkoni e nuk do të më gjeni” dhe “ju nuk mund të vini atje ku jam unë”?». Ditën e fundit e më të madhen e festës, Jezui u ngrit në këmbë e thirri: «Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë! Kush beson në mua, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga brenda tij, siç ka thënë Shkrimi».