Pastaj Jezui vazhdoi të përshkonte Galilenë. Ai nuk donte të kalonte nëpër Jude, se judenjtë kërkonin ta vrisnin. Po afronte festa e Kasolleve, një nga festat e judenjve, dhe vëllezërit e vet i thanë: «Largohu prej këtej e shko në Jude, që edhe dishepujt e tu të shohin veprat që bën! Kush kërkon të jetë i njohur, nuk i fsheh ato që bën. Nëse ti bën vepra të tilla, shfaqja veten botës!». Në të vërtetë as vëllezërit e tij nuk besonin në të. Atëherë Jezui u tha: «Koha ime nuk ka ardhur ende, ndërsa për ju çdo kohë është e përshtatshme. Bota nuk mund t'ju urrejë ju, ndërsa mua më urren, sepse unë dëshmoj se veprat e saj janë të liga. Ju, shkoni në festë! Unë nuk do të vij në këtë festë, sepse koha ime nuk ka ardhur ende». U tha këto e qëndroi në Galile.
Pasi vëllezërit e tij shkuan në festë, shkoi edhe Jezui, jo haptas, por fshehurazi.
Judenjtë e kërkonin në festë dhe pyesnin: «Ku është ai?». Nëpër turmë pëshpëritej shumë për të. Disa thoshin: «Është i mirë». Të tjerë thoshin: «Jo. Ai po mashtron turmën!», por asnjë nuk fliste hapur për të, se kishin frikë nga judenjtë.
Nga mesi i festës Jezui shkoi në tempull e filloi të mësonte njerëzit. Judenjtë habiteshin e thoshin: «Nga i njeh ky Shkrimet pa ia mësuar njeri?». Jezui u përgjigj: «Mësimi im nuk është i imi, por i atij që më dërgoi. Kush dëshiron të bëjë vullnetin e tij do ta kuptojë nëse mësimi im është prej Perëndisë apo nëse unë flas nga vetja ime. Kush flet nga vetja kërkon lavdi për vete, ndërsa kush kërkon lavdinë e atij që e dërgoi, thotë të vërtetën dhe në të nuk ka gënjeshtër.
A nuk jua dha Moisiu ligjin? Megjithatë asnjë prej jush nuk e zbaton. Përse kërkoni të më vrisni?». Turma iu përgjigj: «Ty të ka pushtuar djalli. Kush kërkon të të vrasë?». Jezui u tha: «Një mrekulli bëra dhe u habitët të gjithë. Moisiu ju dha rrethprerjen, e cila në të vërtetë nuk është dhënë nga Moisiu, por nga etërit, e megjithatë, ju e rrethpritni njeriun të shtunën. Nëse një njeri rrethpritet të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, përse zemëroheni me mua, se shërova tërësisht një njeri të shtunën? Mos gjykoni nga pamja e jashtme, por gjykoni me drejtësi».