Është shkruar te profetët: të gjithë do të mësojnë prej Perëndisë. Kushdo që dëgjon Atin dhe mëson prej tij, vjen tek unë. Kjo nuk do të thotë se ndokush e ka parë Atin. Vetëm ai që është pranë Perëndisë e ka parë Atin. Me të vërtetë po ju them: ai që beson ka jetën e amshuar. Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. Por kjo është buka që zbret prej qiellit. Kush ha prej saj nuk vdes kurrë. Unë jam buka e gjallë që zbret prej qiellit. Kush ha nga kjo bukë do të jetojë në amshim. Buka që do të jap unë është mishi im që e jap për jetën e botës». Atëherë judenjtë filluan të grinden me njëri-tjetrin e thoshin: «Si mundet ky të na japë mishin e vet për të ngrënë?». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nëse nuk hani mishin e Birit të njeriut e nuk pini gjakun e tij, nuk keni jetë. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të amshuar dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, sepse mishi im është ushqim i vërtetë e gjaku im pije e vërtetë. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet në mua e unë në të. Ashtu si Ati i gjallë më dërgoi e unë jetoj nëpërmjet tij, kështu edhe kush më ha mua do të jetojë nëpërmjet meje. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo si mana që hëngrën etërit tuaj e vdiqën. Kush ha këtë bukë do të jetojë në amshim». Jezui i tha këto në sinagogë kur mësonte njerëzit në Kafarnaum. Shumë nga dishepujt e tij kur dëgjuan këto, thanë: «Fjala e tij është shumë e ashpër. Kush mund ta dëgjojë?». Jezui, duke e ditur se dishepujt po murmuritnin për këto, u tha: «Kjo u bëka pengesë për ju? Po kur ta shikoni Birin e njeriut të ngjitet atje ku ishte më parë? Shpirti jep jetë, ndërsa dobësia njerëzore nuk sjellin asnjë dobi. Fjalët që ju thashë janë shpirt e jetë. Por ka disa nga ju që nuk besojnë». Në të vërtetë Jezui e dinte që në fillim cilët ishin ata që nuk besonin e kush ishte ai që do ta tradhtonte. Dhe u tha: «Prandaj ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë prej Atit». Që atëherë shumë nga dishepujt e tij u tërhoqën e nuk u shoqëruan më me të. Atëherë Jezui u tha të dymbëdhjetëve: «Mos doni të ikni edhe ju?». Simon Pjetri iu përgjigj: «Zot, te kush të shkojmë? Ti i ke fjalët e jetës së amshuar. Ne kemi besuar dhe e dimë se ti je i shenjti i Perëndisë». Jezui u tha: «A nuk ju zgjodha unë ju, të dymbëdhjetët? Megjithatë, njëri prej jush është djall». Këtë e tha për Judën e Simon Iskariotit, sepse ky do ta tradhtonte ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët.
Lexo Gjoni 6
Dëgjoj Gjoni 6
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Gjoni 6:45-71
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video