Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 6:25-40

Gjoni 6:25-40 AL1

Kur e gjetën në bregun tjetër të liqenit, i thanë: «Mësues, kur erdhe këtu?». Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se ju nuk më kërkoni pse patë shenja, por sepse hëngrët prej bukëve e u ngopët. Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetën e amshuar, të cilin do t'jua japë Biri i njeriut, sepse atij ia dha të drejtën Perëndia, Ati». Atëherë ata i thanë: «Çfarë duhet të bëjmë që të kryejmë veprat e Perëndisë?». Jezui u përgjigj: «Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai dërgoi!». Ata i thanë: «Çfarë shenje mund të bësh që ta shohim e të të besojmë? Çfarë vepre mund të bësh? Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, sikurse është shkruar: u dha për të ngrënë bukë prej qiellit ». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im ju jep bukën e vërtetë prej qiellit, sepse buka e Perëndisë është ai që zbret prej qiellit e i jep jetë botës». Atëherë ata i thanë: «Zot, na e jep përherë këtë bukë!». Jezui u tha: «Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më uri dhe kush beson në mua nuk do të ketë më kurrë etje. Por ju thashë se më keni parë e megjithatë nuk besoni. Të gjithë ata që më jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë nuk do ta hedh kurrë jashtë, sepse nuk kam zbritur prej qiellit për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi. Vullneti i atij që më dërgoi është të mos humbas asnjë nga ata që më dha, por t'i ngjall në ditën e fundit. Vullneti i Atit tim është që të gjithë ata që shikojnë Birin e besojnë në të, të kenë jetë të amshuar dhe unë do t'i ngjall në ditën e fundit».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë